Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot, më 26 nëntor, dy seanca plenare. Seanca e parë, që është vazhdim i punimeve të papërfunduara nga seancat e kaluara, do të nisë në orën 10:00, ndërsa seanca e rregullt është caktuar për në orën 13:00.
Në seancën e parë pritet të shqyrtohen çështjet e mbetura nga seancat e 12, 13 dhe 19 nëntorit.

Ndër pikat e rendit të ditës janë votimi i propozim-rezolutës pas interpelancës me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhur me vdekjen e pacientes me kancer të gjirit, e cila mbeti katër muaj pa terapi, si dhe mungesën e barnave onkologjike.
Po ashtu, pritet të votohet propozim-rezoluta lidhur me gjendjen në planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe procedimin e nismave legjislative të qytetarëve për hartimin e projektligjeve nga Kuvendi, si dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës.
Në rend dite është edhe zgjedhja e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.
Gjithashtu, do të shqyrtohet rekomandimi i Komisionit për Administratë Publike për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Pikë tjetër është propozimi i Grupit Parlamentar të LDK-së për zëvendësimin e anëtarit të këtij grupi në Komisionin Parlamentar Hetimor për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Seanca e rregullt do të nisë në orën 13:00, me miratimin e procesverbalit nga seanca e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Burimi: RTKLive





