Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar në parim projektbuxhetin për vitin 2027, pas seancës plenare që zgjati rreth 14 orë.

Projektbuxheti, me vlerë mbi 10 miliardë euro, mori 80 vota pro, 25 vota kundër dhe asnjë abstenim, shkruan Top Channel, transmeton Klankosova.tv.
Seanca plenare u shoqërua me diskutime të shumta mes deputetëve të të dyja krahëve politikë, ku në qendër të përplasjes ishte mënyra e shpërndarjes së fondeve publike, mbështetja sociale, pensionet, bujqësia, turizmi dhe investimet.
Pozita e cilësoi buxhetin si historik, duke theksuar rritjen e investimeve publike, dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët, uljen e TVSh-së për 54 produkte ushqimore nga 20% në 6%, si dhe shtimin e financimit për sektorë të rëndësishëm si arsimi, shëndetësia, bujqësia dhe mbrojtja.
Nga ana tjetër, opozita e kundërshtoi projektbuxhetin, duke ngritur shqetësime për nivelin e mbështetjes sociale, mungesën e konsultimit me biznesin për paketën fiskale, taksat dhe efektet që ndryshimet fiskale mund të kenë te turizmi dhe profesionistët e lirë.
Gjatë diskutimeve nuk munguan as akuzat për korrupsion, replikat politike dhe kritikat për mënyrën se si qeveria menaxhon financat publike.
Pas miratimit në parim në seancën plenare, projektbuxheti do të rikthehet për shqyrtim në komisionet parlamentare, ku do të diskutohet secili nen dhe mund të pësojë ndryshime përpara votimit përfundimtar.





