Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot dy seanca plenare, ku në mesin e çështjeve që pritet të shqyrtohen janë Ligji për Gjykatën Speciale, projektbuxheti për vitin 2027, gjendja në shëndetësi dhe furnizimi me energji elektrike. Në rend dite janë përfshirë edhe zgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe shkarkimi i katër anëtarëve të një institucioni të pavarur.

Seanca e parë, e cila përbën vazhdim të mbledhjes së mëparshme, është caktuar të nisë në orën 10:00.
Deputetët do të trajtojnë tri çështje kryesore, përfshirë gjendjen në sektorin e shëndetësisë, planifikimin dhe çmimin e energjisë elektrike, si dhe rishqyrtimin e ndryshimeve të propozuara në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në këtë seancë pritet të hidhet në votim rezoluta për gjendjen në shëndetësi, e cila vjen pas interpelancës me ministrin Arben Vitia. Kjo çështje lidhet me rastin e pacientes me kancer të gjirit, e cila kishte mbetur për katër muaj pa terapi, si dhe me problemin e mungesës së barnave onkologjike.
Po ashtu, deputetët do të votojnë edhe propozim-rezolutën që rrjedh nga mocioni përmbajtjesor për planifikimin, çmimin dhe furnizimin me energji elektrike në vend.
Një tjetër pikë me rëndësi është shqyrtimi i Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky ligj i është kthyer Kuvendit për rishqyrtim nga presidentja e Kosovës, ndërsa ndryshimet e propozuara synojnë kufizimin e mandatit të Gjykatës Speciale.
Ndërkaq, në orën 11:00 pritet të nisë seanca e dytë plenare, e cila është seancë e rregullt.
Në mesin e pikave kryesore të kësaj mbledhjeje është shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-028 për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027.
Po ashtu, deputetët do të procedojnë me zgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), prej të cilëve dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet e tjera joshumicë.
Në rend dite është përfshirë edhe shqyrtimi i rekomandimit për shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Një tjetër çështje që do të trajtohet është propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin Parlamentar Hetimor, i cili merret me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje.
Seanca e rregullt do të nisë me miratimin e procesverbalit nga mbledhja e kaluar, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe parashtrimin e pyetjeve parlamentare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





