Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka miratuar transferimin e 497.972,10 eurove në kategorinë e pagave dhe shtesave, me qëllim të sigurimit të mjeteve për pagesën me kohë të pagave të punonjësve për muajin nëntor.

Vendimi është miratuar të mërkurën, në një seancë të jashtëzakonshme të udhëhequr nga kryesuesja Krenare Latifi-Kqiku, me 27 vota për.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Avdyl Kastrati, ka thënë para asamblistëve se në pesë nënprograme buxhetore mjetet e ndara për paga nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar pagesat e këtij muaji.
Sipas tij, nga transferi do të përfitojnë Zyra e Kuvendit me 41.118,97 euro, zjarrfikësit dhe inspektimet me 22.104,95 euro, planifikimi dhe zhvillimi ekonomik me 1.989,36 euro, shërbimet e kujdesit parësor shëndetësor me 151.723,12 euro dhe arsimi fillor me 281.035,70 euro.
“Për t’i mbuluar këto mungesa në kohë, kërkoj miratimin e transferit prej 497.972,10 eurosh brenda kategorisë ‘Paga dhe Shtesa’, nga mjetet që Komuna i ka në dispozicion në nënprograme të tjera”, ka thënë Kastrati.
Gjatë debatit para votimit, Shpend Nuhiu nga Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për këtë nismë.
Ndërkaq, përfaqësuesit e opozitës, Bujar Nevzati nga PDK-ja, Nazim Gagica nga AAK-ja dhe Sami Ahmeti nga LDK-ja, kanë kërkuar garanci se transferimi i propozuar do të sigurojë mjetet e nevojshme për pagat e punonjësve.
Në këtë seancë, Kuvendi i Gjilanit ka mbajtur edhe një minutë heshtje në nderim të ish-drejtorit komunal, Bajram Isufi, i cili ndërroi jetë ditë më parë.
Kryesuesja e Kuvendit, Krenare Latifi-Kqiku, ka vlerësuar kontributin e tij në jetën institucionale dhe publike të qytetit.
“Bajram Isufin do ta përkujtojmë gjithmonë për përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, ndërshmërinë dhe kontributin e çmuar që dha për vendin dhe qytetin e Gjilanit, fillimisht duke u rreshtuar në radhët e UÇK-së dhe më pas angazhimet e shumta në institucione”, ka thënë Latifi-Kqiku. /Telegrafi/





