Erling Haaland ka përjetuar një moment të veçantë pas fitores së Manchester Cityt ndaj RB Leipzigut, pasi është takuar me një ish-bashkëlojtare të fëmijërisë, me të cilën kishte luajtur në të njëjtin ekip në Norvegji.

Bëhet fjalë për Andrea Norheim, futbolliste e skuadrës së femrave të RB Leipzigut, me të cilën sulmuesi norvegjez kishte ndarë fushën e blertë gjatë fëmijërisë në Bryne.
RB Leipzig publikoi në Facebook dy fotografi që tërhoqën vëmendjen e tifozëve: njërën të realizuar së fundmi, ku Haaland dhe Norheim shfaqen së bashku, dhe tjetrën nga koha kur të dy ishin fëmijë dhe mbanin fanellën e Bryne FK.
Takimi ndodhi pas ndeshjes së xhiros së katërt të Ligës së Kampionëve, ku Manchester City triumfoi 3-2 në udhëtim ndaj Leipzigut. Vendimtar për fitoren e anglezëve ishte pikërisht Haaland, i cili realizoi golin e triumfit në minutën e 78-të.
Pesë vite bashkë në të njëjtin ekip
Norheim, 27-vjeçare, dhe Haaland janë rritur në qytetin e vogël norvegjez Bryne, ku për pesë vite kanë qenë pjesë e të njëjtës akademi futbolli.
Në atë periudhë, Norheim luante në pozitën e sulmueses, ndërsa sot aktivizohet si qendërmbrojtëse. Madje, gjatë prezantimit të saj te RB Leipzig, klubi gjerman kishte theksuar se ajo ia kishte vështirësuar jo pak punën Haalandit në stërvitje.
Kur Haaland shpërtheu në skenën ndërkombëtare me Borussia Dortmundin në vitin 2020, gazeta gjermane Bild publikoi një artikull me titullin se sulmuesi e kishte mësuar futbollin nga një vajzë.
Norheim, në një intervistë për mediumin norvegjez Dagbladet, kishte thënë se nuk dëshironte t’ia atribuonte vetes meritat për suksesin e Haalandit, duke theksuar se të dy thjesht kishin stërvitur së bashku për shumë vite.
Norheim fitoi Ligën e Kampionëve në moshën 17-vjeçare
Edhe Andrea Norheim ka ndërtuar një karrierë të rëndësishme në futbollin evropian.
Në moshën vetëm 17-vjeçare, ajo iu bashkua gjigantit francez Olympique Lyon, me të cilin në sezonin 2016/17 fitoi Ligën e Kampionëve për femra, kampionatin dhe Kupën e Francës.
Më pas, ajo u shpall kampione e Suedisë me Pitea IF në vitin 2018, ndërsa me HB Koge fitoi dy herë titullin e kampionit në Danimarkë, në vitet 2022 dhe 2023.
Në vitin 2024, Norheim fitoi edhe Superkupën e Portugalisë me Sportingun e Lisbonës.
Ajo iu bashkua RB Leipzigut në verën e vitit 2025 dhe ka kontratë me klubin gjerman deri më 30 qershor 2027. /Telegrafi/




