Kimberly Powell, 48-vjeçare, është zëvendëspresidente e kompanisë teknologjike Nvidia për sektorin e shëndetësisë, ku punon prej 18 vitesh.

Emri i saj është vënë së fundmi në qendër të vëmendjes pas një raportimi të gazetës “The New York Times”, sipas të cilit ajo dyshohet se ka pasur një lidhje jashtëmartesore me drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Jensen Huang.
Sipas gazetës amerikane, e cila citon pesë persona që kanë punuar në Nvidia, Huang dhe Powell janë parë duke shkëmbyer përkëdhelje në një hotel në San Jose, gjatë konferencës vjetore të zhvilluesve të kompanisë, GTC, në muajin mars.
Kimberly
Dy prej burimeve pretendojnë se momenti është filmuar, megjithëse “The New York Times” sqaron se nuk e ka parë vetë incizimin.
Sipas tre personave të njohur me rastin, sigurimi i Huangut kishte vërejtur një person që po i filmonte me telefon, i cili më pas ishte veçuar dhe i ishte ofruar një marrëveshje konfidencialiteti.
Huang, 63 vjeç, dhe Powell thuhet se janë të martuar me persona të tjerë. Deri më tani, asnjëri prej tyre nuk i ka konfirmuar publikisht pretendimet.
Kur u kontaktua nga gazetari i “The New York Times”, Huang deklaroi se nuk duhej të flitej drejtpërdrejt me të për këtë çështje dhe e ndërpreu telefonatën.
Kimberly
18 vite në Nvidia dhe një karrierë në sektorin e teknologjisë shëndetësore
Powell iu bashkua Nvidia-s në maj të vitit 2008, ndërsa që nga tetori i vitit 2017 mban pozitën e zëvendëspresidentes dhe drejtoreshës së përgjithshme për sektorin e shëndetësisë.
Sipas biografisë së saj në blogun zyrtar të kompanisë, ajo është përgjegjëse për zhvillimin e këtij sektori në nivel global.
Puna e saj përfshin platforma harduerike dhe softuerike që përdorin inteligjencën artificiale, llogaritjen e përshpejtuar dhe teknologjinë e vizualizimit në imazherinë mjekësore, shkencat biologjike, zhvillimin e barnave dhe analizat shëndetësore.
Para këtij pozicioni, ajo drejtoi sektorin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Nvidia, si dhe Nvidia AI Labs dhe programin Nvidia Inception.
Jensen
Si nisi rrugëtimi i saj profesional?
Powell është diplomuar në inxhinieri elektrike, me specializim në inxhinierinë kompjuterike, në Universitetin Northeastern në Boston.
Më vonë ka përfunduar edhe programe në menaxhimin e projekteve në Universitetin e Bostonit dhe në shkollën e menaxhimit MIT Sloan.
Karrierën e nisi si inxhiniere e harduerit në kompaninë DOME Imaging Systems, përpara se të kalonte në Planar Systems.
Në vitin 2006, ajo u bë menaxhere e marketingut të produkteve në sektorin e pajisjeve mjekësore.
Në një intervistë të dhënë në gusht për podcastin “Lifers with Christina Farr”, Powell tregoi se përvoja me teknologjinë e imazherisë mjekësore e kishte shtyrë t’i drejtohej Nvidias me idenë që procesorët grafikë të kompanisë të përdoreshin edhe në sektorin e shëndetësisë.
Ajo e kishte përshkruar mundësinë për ta zhvilluar këtë ide në Nvidia si realizim të një ëndrre.
Detyra e saj e parë ishte që procesorët grafikë të kompanisë të shndërroheshin në një platformë për pajisjet e imazherisë mjekësore.
Emri i saj lidhet edhe me disa platforma të rëndësishme të Nvidias, përfshirë MONAI për imazherinë mjekësore, BioNeMo për kërkimet biologjike dhe zhvillimin e barnave, si dhe Parabricks për gjenomikën.
Anuloi pjesëmarrjen në një samit në Washington
Powell ishte planifikuar të fliste në hapjen e samitit Milken mbi të ardhmen e shëndetësisë në Washington, por nuk mori pjesë në aktivitet.
Gazetarja e CNBC-së, Meg Tirrell, e cila do të moderonte panelin ku ishte paraparë të fliste Powell, njoftoi në rrjetin X se organizatorët e kishin informuar për tërheqjen e saj nga aktiviteti.
Ndërkohë, “New York Post” raporton se, bazuar në publikimet e saj në internet, Powell është e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.
As Powell dhe as Huang nuk kanë dhënë një deklaratë publike për pretendimet e publikuara nga “The New York Times”, ndërsa Nvidia nuk u është përgjigjur kërkesave të mediave për koment.
Pretendimet për një lidhje të mundshme mes tyre janë publikuar vetëm pak ditë pasi Huang, përmes një emaili drejtuar punonjësve, kishte pranuar se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, në lidhje me një tjetër aferë të pretenduar me Alice Huang.
Për këtë të fundit, sipas raportimit, shërbimet amerikane të inteligjencës kanë dyshime se punon për Kinën. /Telegrafi/





