Kush e vrau arkitektin?

Kush e vrau arkitektin?

Kush e vrau arkitektin?

Mbi shfaqjen «Prishtina» të Jeton Nezirajt në teatrin Bühne Aarau të Zvicrës: publiku zviceran pati rastin të përballet me një pjesë të dhimbshme të historisë së Kosovës – vrasjen e arkitektit të Prishtinës, Rexhep Luci.

Sponsor 3M Express

Aarau është kryeqyteti i kantonit Aargau. Mund të ngatërrohen nganjëherë këto toponime, por jashtë tyre, e sidomos në Zürich, përdoren si sinonime për kultivimin e stereotipeve. Banorët e Aargaut, sipas paragjykimit, bartin pa dallim çorape të bardha (domethënë: janë katundarë), nuk dinë të drejtojnë automjetin (ose e drejtojnë duke rrezikuar të tjerët). Prandaj, shkronjat «AG» në targat e kantonit interpretohen me shaka si «Achtung Gefahr» – «Kujdes, rrezik!» Dhe, sipas një paragjykimi tjetër, Aargau është kantoni i karotave, pasi ato mbillen me shumicë në këtë trevë.

T’i lëmë anash paragjykimet. Aarau ka dy hapësira teatrore, të cilat funksionojnë nën të njëjtin institucion, të quajtur Bühne Aarau: Tuchlaube, në qytetin e vjetër, dhe Alte Reithalle, pranë stacionit të trenit. Kjo e fundit është një hapësirë fleksibile për teatër, vallëzim, cirk bashkëkohor dhe muzikë, me konfigurime nga 120 deri në 520 vende.

Pikërisht këtu, në Alte Reithalle, të premten u shfaq drama «Prishtina. Vrasja e paralajmëruar e një ëndrre». Për publikun shqiptar, përmbajtja e saj është e njohur: bëhet fjalë për vrasjen e arkitektit Rexhep Luci më 11 shtator 2000 në Prishtinë. Atëbotë, gazeta zvicerane «Tages-Anzeiger» e dha kështu lajmin për vrasjen e Lucit: «Drejtori për Zhvillim dhe Planifikim Urban në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, u qëllua për vdekje nga persona të panjohur. Deri tani atentatorët nuk janë kapur. Sipas gazetës lokale Koha Ditore, Rexhep Luci u vra përpara shtëpisë së tij nga persona të panjohur. Zyrtari i kishte treguar më parë një reporteri se po kërcënohej për shkak se kishte ndaluar aktivitetet ilegale ndërtimore në qytet. Vrasja e tij vjen pas një serie sulmesh ndaj politikanëve dhe partive».

Fjalia «deri tani atentatorët nuk janë kapur» është ende aktuale. Drama e Nezirajt e sjell atmosferën e pasluftës në Prishtinë, një qytet mes euforisë dhe etjes për të fituar sa më shumë nga mafia e ndërtimit, shpesh e lidhur me figura të fuqishme parapolitike, të cilave fuqinë ua jepte arma. Një duhmë korrupsioni, cinizmi e poshtërsie kalon nëpër skenë dhe në mes të saj qëndron një arkitekt, i cili e kishte marrë drejtimin e planifikimit hapësinor të kryeqytetit të Kosovës nga fundi i viteve 1970. Adrian Morina e luan rolin e Rexhep Lucit me një shkathtësi që e bën të kapshëm edhe dallimin kulturor mes një profesionisti, siç ishte Rexhep Luci, dhe bosit lokal të mafies së ndërtimit, të luajtur nga Kushtrim Qerimi. Ky i fundit arrin të nxjerrë në sipërfaqe tërë kapadaillëkun që e karakterizon një pasanik, i cili pasurohet mbi kurrizin e të tjerëve, duke i eksploatuar punëtorët dhe duke korruptuar sindikalistët. Skena kur bosi i mafies së ndërtimit e korrupton përfaqësuesin e sindikatës (të cilin e luan Afrim Muçaj), duke ia «dhuruar» një banesë, është ilustrative për mënyrën se si funksionon korrupsioni. Nuk është një njeri fajtor, por një sistem.

Jeton Neziraj

Rexhep Luci e njihte Prishtinën si xhepin e tij. Ishte i vetëdijshëm për dobësitë e saj arkitektonike, por edhe për disa rregulla që i kishte vendosur për të penguar shkatërrimin dhe për të mbajtur rend e rregull, aq sa ishte e mundur. Por ai nuk gjeti mbështetje për angazhimin e tij në mbrojtje të qytetit. Ai ishte vetëm kundër betonit – betonit që bartej me kamionë dhe kokave të betonit. Përballë e kishte edhe hipokrizinë e administratorëve të OKB-së. Në shfaqje, një i tillë është «francezi» i UNMIK-ut, i cili – i lëpirë e i pispillosur dhe i luajtur me një marifet të paharrueshëm nga Shpëtim Selmani – flet për rëndësinë e respektimit të ligjit, por ka vetëm një ëndërr: ta shijojë jetën në Prishtinë. Një jetë që më shumë është «party», ndonëse vazhdimisht flitet për projekte.

Shfaqja u prit mirë. Kishte, natyrisht, disa shqiptarë nga mërgata, por shumica e publikut ishte zvicerane. Për ta kuptuar dialogun, mbi kokat e aktorëve qarkullonte një sallatë shkronjash – përkthimi në gjermanisht dhe anglisht. Pas çdo batute, shqiptarët, në avantazh gjuhësor, qeshnin të parët. Zviceranët prisnin përkthimin, pastaj qeshnin edhe ata. Por, në përgjithësi, të gjithë ishin të tronditur nga kjo ngjarje e vërtetë dhe e vënë në skenë. Ishin të tronditur nga paaftësia e një shoqërie për t’u ballafaquar me të keqen. Nga dështimi i institucioneve për t’i kapur vrasësit. Nga «normalizimi» i vrasjeve. Nga tabuizimi i tyre. Nga harresa.

«Deri tani atentatorët nuk janë kapur» – kjo fjali do të ishte po ashtu një titull i përshtatshëm për këtë dramë, e cila është edhe dramë për një qytet – me pak parqe e shumë ajër të ndotur, me grumbuj bërlloku që dominojnë peizazhin, me kanalizime që dalin në rrugë pas çdo shiu. Dhe pa teatër. Është në renovim. Nga një qeveri e paaftë.

Një shikues zviceran mund të pyesë: nëse nuk ishte e mundur të parandalohej një vrasje në kaosin e pasluftës, si nuk u arrit të hiqej bërlloku 27 vjet më vonë? Apo të ndërtohej a sanohej një teatër brenda një kohe të arsyeshme? Këto nuk janë pyetjet e vetme e rëndësishme që shfaqja e Jeton Nezirajt lë pezull në skenën e teatrit në Aarau. Kjo është detyra e artit.

Lexo edhe

Gjenerata Z proteston kundër shtrenjtimit të jetesës dhe detyrimit ushtarak

Gjenerata Z proteston kundër shtrenjtimit të jetesës dhe detyrimit ushtarak

Gërmimet në Apoloni zbardhin historinë e një monumenti të rëndësishëm antik

Gërmimet në Apoloni zbardhin historinë e një monumenti të rëndësishëm antik

Kurti për protestat në Shqipëri: Qeverisja nuk duhet t’i përkulet oligarkisë

Kurti për protestat në Shqipëri: Qeverisja nuk duhet t’i përkulet oligarkisë

Kush e vrau arkitektin? | Momenti