Sipas Kurtit, gjatë takimit u diskutua për mundësitë konkrete të investimeve në sektorët e energjisë, hekurudhave dhe teknologjisë digjitale, ku kompanitë austriake dhe diaspora kosovare po luajnë rol gjithnjë e më të rëndësishëm.
Duke rikujtuar bisedimet e zhvilluara katër muaj më parë, Kurti bëri të ditur se Kosova ka përmbushur edhe kushtin e fundit ligjor për integrimin në SEPA, ndërsa për përfshirjen në zonën e roamingut të Bashkimit Evropian pritet të nisin negociatat.

“Për të parin tashmë kemi përmbushur edhe kushtin e fundit, me tërësinë e ligjeve të nevojshme, dhe për të dytin presim nisjen e negociatave së shpejti”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke mbështetur qëndrimin e kancelarit austriak se të gjithë kandidatët duhet të trajtohen me kushte të barabarta.
“Në bazë të meritës, Republika e Kosovës është gati për avancim në rrugën evropiane, statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave”, u shpreh Kurti.
Burimi: RTKLive




