Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se qendra shkencore dhe inovative për zhvillimin e teknologjisë së dronëve në Podujevë pritet të funksionalizohet në tremujorin e parë të vitit 2027.
Këtë e bëri të ditur në Kuvendin e Kosovës, në përgjigje të pyetjes së deputetes së PDK-së, Besa Kabashi-Ramaj, e cila kërkoi sqarime për mjetet e planifikuara në buxhetin e vitit 2027 për zhvillimin dhe prodhimin vendor të dronëve.

Kurti tha se më 4 tetor 2026, përmes Ministrisë së Mbrojtjes, është koordinuar nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet fondacionit turk “T3”, të udhëhequr nga kompania “Bayraktar”, dhe Komunës së Podujevës.
Sipas tij, qendra do të jetë institucion publik nën menaxhimin e komunës dhe do të shërbejë për trajnime, inovacion dhe zhvillimin e projekteve teknologjike.
“Objekti është i gatshëm dhe sipas afateve të dakorduara, planifikohet që qendra të funksionalizohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm 2027”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se fondacioni “T3” do të mbështesë transferimin e teknologjisë dhe njohurive, ndërsa shpenzimet administrative, të vlerësuara në rreth 40 mijë euro në vit, do të mbulohen nga Komuna e Podujevës. Shpenzimet e tjera, sipas tij, do të mbulohen nga fondacioni.
Kurti njoftoi gjithashtu se është planifikuar hapja e një qendre të ngjashme edhe në Prizren.
Sa i përket prodhimit vendor të dronëve, kryeministri tha se Ministria e Mbrojtjes ka nënshkruar letra qëllimi me dy kompani vendore, të cilat aktualisht janë në fazën e testimit dhe prodhimit të fluturakeve pa pilot dhe interceptorëve.
Ai theksoi se këto marrëveshje nuk krijojnë përgjegjësi financiare për Ministrinë e Mbrojtjes, por ministria do t’u ofrojë mbështetje administrative dhe do të promovojë produktet e kompanive në vendet partnere.
Ndërkaq, lidhur me buxhetin për vitin 2027, Kurti pranoi se në tabelën e projekteve kapitale nuk është identifikuar një projekt i veçantë për zhvillimin dhe prodhimin vendor të dronëve.
Ai bëri të ditur se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë planifikohet të miratohet edhe konceptdokumenti për industrinë e mbrojtjes, i cili, sipas tij, do të krijojë qartësi ligjore për zhvillimin e këtij sektori në Kosovë.
Burimi: RTKLive





