Parlamenti Evropian ka miratuar sot në Strasburg një rezolutë kushtuar 35-vjetorit të rënies dhe shkatërrimit të qytetit kroat të Vukovarit, duke i bërë thirrje Serbisë të hapë arkivat shtetërore për të ndihmuar në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës.

Rezoluta është iniciuar nga eurodeputetë kroatë të grupeve të ndryshme politike në PE.
Në tekstin e rezolutës thuhet se Vukovari është një kujtesë dhe se parimi “kurrë më” nuk mund të merret si i mirëqenë. Ky parim buron nga shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore dhe është në thelb të projektit evropian.
Tragjedia e Vukovarit, siç thuhet më tej, zbuloi se sa e brishtë është paqja në Evropë dhe cilat janë pasojat kur ajo nuk mbrohet me kohë.
PE-ja thekson se pranimi i krimeve, respektimi i viktimave dhe përcaktimi i fatit të personave të zhdukur janë thelbësore për pajtimin e qëndrueshëm dhe për drejtësi për të gjitha viktimat e luftërave të zhvilluara pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Ne këtë rezolutë, PE-ja dënon ashpër mohimin, minimizimin ose madhërimin e krimeve të luftës, përfshirë nderimin publik të kriminelëve të dënuar të luftës. Në veçanti, dënon nderimet që iu bënë Ratko Mlladiqit gjatë varrimit të tij në Beograd, më 7 shtator 2026. Mlladiqi ishte dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Rezoluta u miratua në 35-vjetorin e rënies së Vukovarit. Mbrojtja e forcave kroate në këtë qytet u thye më 18 nëntor 1991, pas 87 ditësh luftimesh të ashpra dhe shkatërrimesh.
Kontrollin mbi Vukovarin e morën Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) e asaj kohe dhe njësitë paramilitare. Pasi hynë në qytetin pothuajse tërësisht të shkatërruar, pasoi dëbimi i popullsisë, dërgimi i të burgosurve në kampe dhe krime të rënda lufte. Ndër to ishte edhe masakra në Ovçara, ku u vranë rreth 260 persona, kryesisht të plagosur, të sëmurë dhe civilë të dërguar nga spitali i Vukovarit.
Ndërkaq, pas publikimit të draft-rezolutës, Lëvizja Studentore në Serbi njoftoi se nuk pajtohet me përmbajtjen e tekstit. Sipas vlerësimit të kësaj lëvizjeje, dokumenti nuk kontribuon në pasqyrimin objektiv të ngjarjeve historike, as në pajtimin mes popujve të ish-Jugosllavisë.




