Në një intervistë për televizionin francez France 24, në emisionin “Talking Europe”, Kurti tha se Kosova mbetet i vetmi vend në Evropë që nuk ka statusin e kandidatit, ndonëse ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor të vitit 2022.
Ai theksoi se pengesa kryesore lidhet me mungesën e një kërkese nga Këshilli Evropian drejtuar Komisionit Evropian për të dhënë opinionin mbi aplikimin e Kosovës.

“Ne i kemi bërë të gjitha detyrat tona. Sa u përket indekseve demokratike për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, transparencën, lirinë e medias dhe demokracinë zgjedhore, jemi në vendin e parë ose të dytë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti.
Ai u shpreh se Kosova është e gatshme të kalojë nëpër të gjitha fazat e procesit të anëtarësimit, pa kërkuar rrugë të shkurtra.
Duke folur për pesë vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, Qipron, Spanjën, Rumaninë, Greqinë dhe Sllovakinë, Kurti tha se bashkëpunimi dhe komunikimi me to është shtuar.
Sipas tij, ka shenja pozitive të përparimit, si njohja e pasaportës së Kosovës nga Spanja dhe ngritja e statusit të zyrës së Kosovës në Athinë, por njohja zyrtare ende mungon.
I pyetur për kritikat e raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, veçanërisht për mungesën e progresit në reformën në drejtësi dhe rezultatet e kufizuara në luftën kundër korrupsionit, Kurti pranoi se këto fusha mbeten sfidë.
“Ne e pranojmë kritikën e BE-së sa i përket gjyqësorit dhe prokurorisë. Prandaj, reformat kanë filluar”, deklaroi ai.
Kurti përmendi edhe themelimin e Byrosë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke thënë se procesi i integrimit evropian do të ndihmonte më tej në reformimin e drejtësisë, administratës publike dhe arsimit.
Sa i përket Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, kryeministri tha se Kosova ka humbur rreth 40 milionë euro për shkak të krizës politike dhe bllokadës në Kuvend.
Megjithatë, ai u shpreh se tashmë institucionet janë funksionale dhe se Qeveria do t’i zbatojë reformat e parapara, edhe nëse për to nuk sigurohen fondet evropiane.
Në pjesën e intervistës për raportet me Serbinë, Kurti foli për zgjedhjet e 25 tetorit në këtë vend, duke i cilësuar ato më shumë si referendum kundër ish-presidentit Aleksandar Vuçiq sesa si zgjedhje të zakonshme.
Ai tha se ende nuk dihet se kush i ka fituar zgjedhjet, pasi Lista Studentore duhet së pari të formojë qeverinë dhe të bëhen të qarta orientimet e saj politike.
Ndërkaq, për dialogun Kosovë-Serbi, Kurti përsëriti qëndrimin se normalizimi i plotë i marrëdhënieve duhet të bazohet në njohjen reciproke.
“Dëshirojmë normalizim të plotë të marrëdhënieve me Serbinë, të përqendruar në njohjen reciproke. Nuk ka makinë kohe për t’u kthyer në shekullin e 20-të, kur ishim të pushtuar nga Serbia. Kosova është shtet i pavarur, republikë demokratike”, tha Kurti.
Ai theksoi se është i gatshëm të respektojë dhe zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Zbatimit të Ohrit të vitit 2023, por kërkoi që ato të nënshkruhen nga të dyja palët për të garantuar siguri juridike dhe besueshmëri në proces.
Burimi: RTKLive





