Të gjitha fluturimet brenda Shteteve të Bashkuara janë pezulluar deri në një njoftim të ri, “për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme dhe arsyeve të sigurisë”, ka bërë të ditur Administrata Federale e Aviacionit (FAA) në ShBA, në një deklaratë.

Shkaku i pezullimit të fluturimeve nuk është bërë menjëherë i qartë.
Megjithatë, një zëdhënës i FAA-së ka thënë se bëhet fjalë për një problem në komunikim që ka prekur qendrat e kontrollit të trafikut ajror nëpër itineraret ajrore, të cilat menaxhojnë fluturimet që kalojnë nëpër territorin e vendit, raporton CNN, transmeton Klankosova.tv.
“Fluturimet duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të pezulluara deri në një njoftim të ri”, thuhet në një njoftim të FAA-së.
Ndërkaq, fluturimet ndërkombëtare do të trajtohen rast pas rasti.
Herën e fundit që ishte ndalur i gjithë trafiku ajror në shkallë kombëtare në ShBA ishte në janar të vitit 2023, kur pati një ndërprerje të sistemit për njoftimin e pilotëve. Para kësaj, hera e fundit kur ishte urdhëruar ndalimi i të gjitha fluturimeve në nivel kombëtar ishte pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. /Klankosova.tv





