Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Irlandë është pritur në Houses of the Oireachtas, Parlamentin e Republikës së Irlandës, nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian.
Kurti, nëpërmjet një postimi, ka bërë të ditur se në takim të pranishëm ishin kryesuesi i Komitetit, Barry Ward, anëtari Rúairí Ó Murchú, sekretari Ivan Farmer, si dhe drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore të BE-së, Frank Smyth.

Kurti ka theksuar se për të mos u vonuar më tej rrugëtimi i Kosovës drejt Bashkimit Evropian, është e rëndësishme që Këshilli i BE-së t’i kërkojë Komisionit Evropian të japë mendimin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Ai ka thënë se procesi i integrimit evropian është po aq i rëndësishëm sa edhe arritja e synimit përfundimtar, pasi reformat që kërkohen në këtë rrugë sjellin përfitime për qytetarët dhe kontribuojnë në forcimin e shtetit.
Në postimin e tij, Kurti ka shprehur gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, duke përmendur kontributin e saj në strehimin e refugjatëve dhe pjesëmarrjen në kuadër të misionit të KFOR-it.
Burimi: Dukagjini





