Në një postim në Facebook, Kurti ka theksuar se Kosova vazhdon të importojë shumë produkte që mund të prodhohen brenda vendit, ndërsa ka thënë se po punohet që kjo gjendje të ndryshojë.
“1 miliard euro prodhim vendor në vend të importit, do të thotë edhe fabrika të reja, vende pune e produkte vendore në raftet tona, por edhe eksport”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se kjo agjendë nuk përbën proteksionizëm, pasi tregjet do të mbeten të hapura dhe kompanitë vendore do të vazhdojnë të konkurrojnë.
Sipas tij, bëhet fjalë për një agjendë zhvillimore, të ndërtuar mbi të dhëna dhe të orientuar drejt forcimit të prodhimit vendor, vetëqëndrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike.
Kurti ka vlerësuar se, në rrethanat e ndryshimeve gjeostrategjike dhe sfidave në zinxhirët e furnizimit, rritja e kapaciteteve prodhuese vendore është e rëndësishme për pavarësinë ekonomike të vendit.
Ndërkaq, kryeministri ka bërë të ditur se mënyrat e realizimit të kësaj agjende ishin në qendër të diskutimeve në edicionin e tretë të konferencës “The Future of Business”, me temën “Nga mundësitë tek investimet”, të mbajtur mbrëmjen e kaluar.
Burimi: RTKLive





