Era e fortë që përfshiu Maqedoninë e Veriut mbrëmë ka shkaktuar dëme materiale dhe probleme me trafikun në disa rrugë.
Në rrugën Gostivar – Strazhë – Kërçovë, në kryqëzimin e Gostivarit, për shkak të erërave të forta, një semafor dhe një shtyllë ndriçimi kanë rënë, ndërsa në disa pjesë të së njëjtës rrugë ka pemë të rrëzuara në rrugë.
Ekipet e ndërmarrjes publike “Rruga e Maqedonisë” janë në terren dhe punojnë për të hequr pengesat dhe për të normalizuar trafikun.
Probleme ka edhe në rrugën Shkup – Tetovë, ku është regjistruar një pemë e rrëzuar përpara Karpallakut, dhe përveç kësaj ka pemë të rrëzuara në rrugën rajonale Tetovë – Shkup.
Njësia Territoriale Kundër Zjarrit në Tetovë u ka bërë apel qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe vigjilencë të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të mos qëndrojnë pranë pemëve të larta, shtyllave elektrike dhe objekteve që mund të rrëzohen nga era.
Gjithashtu, autoritetet u bënë apel shoferëve të jenë veçanërisht të kujdesshëm, të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të motit, të shmangin drejtimin e rrezikshëm dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur të trafikut./Telegrafi/






