Kosova ka prezantuar kulturën e saj në Pazarin Diplomatik 2026, të mbajtur në Lisbonë të Portugalisë, duke përcjellë edhe një mesazh solidariteti dhe bashkëpunimi përtej kufijve.

Përmes një postimi në Facebook, Ambasada e Republikës së Kosovës në Portugali ka ndarë pamje nga ky aktivitet, duke theksuar se pjesëmarrja kishte një qëllim më të gjerë sesa promovimi i kulturës, transmeton Telegrafi.
“Përtej prezantimit të kulturës sonë, misioni ynë kishte të bënte me solidaritetin përtej kufijve – duke bashkuar njerëzit, komunitetet dhe kauzat përmes një angazhimi të përbashkët për të bërë ndryshimin, si në Kosovë, ashtu edhe në Portugali”, thuhet në postimin e ambasadës.
Ambasada ka falënderuar të gjithë vizitorët që u ndalën në stendën e Kosovës dhe kontribuuan në këtë festë të kulturës, bujarisë dhe solidaritetit./Telegrafi/





