Komuna e Çairit ka dalë me reagim, për siç thotë, SMS porosive që thuhet se kanë arritur në telefonat e nxënësve, të cilat ndalojnë shfaqjen e flamujve kombëtarë në shkolla.

Nga Komuna e Çairit thonë se këto janë manipulime pas të cilave qëndrojnë qarqe të dyshimta.
“Dënojmë çdo përpjekje për të krijuar frikë dhe pasiguri te prindërit dhe nxënësit përmes SMS-ve të pakonfirmuara, që pretendohet se ndalojnë sjelljen e flamujve kombëtarë në shkolla. Këto janë manipulime pas të cilave qëndrojnë qarqe të dyshimta, të cilat nuk ia duan të mirën shqiptarëve”.
“U bëjmë të qartë se nuk do të arrijnë ta prishin atmosferën festive dhe të mbjellin përçarje mes qytetarëve. Në Çair askush nuk mund ta cenojë flamurin kombëtar! Askush nuk duhet të guxojë t’i frikësojë fëmijët tanë për identitetin dhe simbolet e tyre kombëtare”, thonë nga Komuna e Çairit.
Në fund shtojnë se flamuri është krenari, identitet dhe dinjitet./Telegrafi/





