​Kosova në rrezik të humbë miliona euro nga BE-ja, Qeveria Kurti nën kritika për reformat e parealizuara

​Kosova në rrezik të humbë miliona euro nga BE-ja, Qeveria Kurti nën kritika për reformat e parealizuara

​Kosova në rrezik të humbë miliona euro nga BE-ja, Qeveria Kurti nën kritika për reformat e parealizuara

Kosova rrezikon të humbasë miliona euro të tjera nga fondet e Bashkimit Evropian, për shkak të vonesave në përmbushjen e reformave të parapara në kuadër të Planit të Rritjes, thonë deputetë të opozitës dhe njohës të integrimeve evropiane. Sipas tyre, pavarësisht funksionalizimit të institucioneve, vonesat në miratimin e legjislacionit dhe zbatimin e reformave mund të ndikojnë në përfitimin e mjeteve financiare nga BE-ja.

Sponsor 3M Express

Kosova ka humbur tashmë 43.8 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, ndërsa rrezikon të mos përfitojë edhe 131.5 milionë euro të tjera, nëse nuk përmbush me kohë obligimet e parapara në kuadër të Agjendës së Reformave. Afati për realizimin e 22 hapave të mbetur është 31 dhjetori 2026.

KosovaPress ka pyetur Qeverinë e Kosovës se ku ndodhet vendi me zbatimin e reformave të parapara për përfitimin e fondeve të BE-së, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje. Për këtë çështje nuk ka kthyer përgjigje as Bashkimi Evropian.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se Kosova duhet të përshpejtojë përmbushjen e obligimeve, në mënyrë që të shmangë humbjet e tjera financiare.

Ai ka thënë se vendi ka humbur shumë nga Plani i Rritjes, ndërsa ka kërkuar që të shqyrtohen me kujdes të gjitha pikat dhe afatet kohore për secilën prej tyre, në mënyrë që të dihet saktësisht vlera e mjeteve që rrezikojnë të humben.

“Kemi humbur shumë nga Plani i Rritjes. Sërish duhet t’i shohim saktë secilën prej pikave të Planit të Rritjes edhe afatet kohore për secilën prej këtyre pikave, për të ditur saktë se sa do të humbim, por ne kemi humbur të dy viteve apo sa që kemi qenë në masa të Bashkimit Evropian, ku kanë qenë të ngrira të gjitha fondet për Kosovën. Tani që Kuvendi është funksional, qeveria është funksionale, nuk besoj që duhet të humbim asnjë minutë për të përmbushur obligimet që i ka Kosova karshi këtij plani”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë edhe miliona euro të tjera. Ajo ka përmendur afatet e ngushta për shqyrtimin e projektligjeve nga Komisioni Evropian, si dhe sfidat që lidhen me miratimin e legjislacionit në Kuvend.

Si sfidë tjetër, Kadrijaj ka përmendur edhe Kodin Civil, duke ngritur dilema nëse do të ketë ndryshime në dispozitat e tij dhe nëse do të sigurohen votat e nevojshme për miratimin e tij në Kuvend.

Ajo ka shprehur shqetësimin se, nëse nuk përmbushen obligimet brenda afateve, Kosova mund të humbasë mjete të tjera financiare që, sipas saj, janë në interes të vendit.

“Ne veçse i kemi humbur 40 milionë euro nga Plani i Rritjes dhe rrezikojmë, në fakt, të humbim prapë. Ne e kemi përkrahur Agjendën Evropiane dhe Planin e Rritjes. Ne asnjëherë nuk kemi stopuar qeverinë, sidomos kur ka qenë në pyetje marrëveshjet ndërkombëtare. Kryenegociatori me Bashkimin Evropian e ka theksuar se kanë dërguar komente në Komisionin Evropian dhe minimumi për shqyrtim dhe kthim është tre muaj. Duke llogaritur, ne nuk i kemi as dy muaj të plotë deri të përmbushim këtë”, ka deklaruar ajo.

Kritik ndaj qeverisë është shprehur edhe profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, i cili ka thënë se reformat nuk janë zbatuar me kohë dhe se përgjegjësia kryesore për këtë bie mbi Qeverinë Kurti.

Sipas tij, reformat e dërguara nga Kosova në Komisionin Evropian duhet të verifikohen para se të autorizohet shpërndarja e mjeteve financiare. Ai ka vlerësuar se qeveria është dashur të jetë më e përkushtuar në këtë proces.

“Qeveria në detyrë atë kohë, që është edhe qeveria sot, e njëjta qeveri na kanë treguar përralla. Po të kishin qenë seriozë dhe të bindur në procesin e integrimit, ne moti do ta kishim qeverinë dhe presidencën dhe do t’i zbatonim. Pasi nuk janë shumë, 20 reforma që Kosova i ka dërguar në Komisionin Evropian, por ato pritet të verifikohen. Pa u verifikuar nuk do të jepet autorizimi për shpërndarjen e mjeteve financiare. Këtu fajtori kryesor është Qeveria Kurti, se nuk i kanë marrë seriozisht reformat dhe thithjen e mjeteve”, ka deklaruar Arifi.

Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor ka paraparë për Kosovën deri në 882.6 milionë euro, në formë grantesh dhe kredish të favorshme, përfitimi i të cilave kushtëzohet me zbatimin e reformave të dakorduara.

Lexo edhe

“A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës

“A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës

Zbulohen bustet e figurave të shquara të historisë kombëtare në Llapushnik

Zbulohen bustet e figurave të shquara të historisë kombëtare në Llapushnik

Të lodhin pa e kuptuar: Këto shenja të horoskopit mund ta kthejnë edhe një bisedë të thjeshtë në debat

Të lodhin pa e kuptuar: Këto shenja të horoskopit mund ta kthejnë edhe një bisedë të thjeshtë në debat