Një person me inicialet E.A. është arrestuar të shtunën në Gjilan, nën dyshimin se kishte inskenuar një histori të rreme për të përfituar financiarisht nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari që nga 9 nëntori 2026 kishte pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute, duke organizuar një fushatë përmes platformës “GoFund”, kinse për të mbuluar shpenzimet e shërimit dhe rehabilitimit.
Përmes kësaj fushate, ai dyshohet se kishte arritur të grumbullonte gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 centë nga donatorë në Kosovë dhe jashtë vendit, transmeton Klankosova.tv.
Pas pranimit të informacioneve të para, Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke bllokuar të gjitha mjetet financiare në llogaritë bankare të identifikuara si të lidhura me rastin. Ndërkohë, i dyshuari ishte shpallur në kërkim policor.
Me vendim të prokurorit të shtetit, personi i arrestuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarit, brenda afateve kohore do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan./Klanosova.tv





