“A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës

“A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës

“A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës

Partitë opozitare në Kosovë kanë kritikuar masat e Qeverisë për përballimin e krizës dhe kanë ngritur pikëpyetje për vendimet që pritet të marrë Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sponsor 3M Express

Deputetë të LDK-së dhe AAK-së kanë ngritur shqetësime për masat e ndërmarra për përballimin e krizës energjetike, ndërsa kanë kërkuar sqarime edhe për çështjen e licencës së kompanisë EFT, të lidhur me biznesmenin Vuk Hamoviq, shkruan Reporteri.net

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, i ka drejtuar një pyetje publike ZRRE-së lidhur me mundësinë e rilicencimit të kompanisë EFT, të lidhur me biznesmenin serb Vuk Hamoviq.

Bajrami ka rikujtuar se më 23 tetor 2026, në rendin e ditës së mbledhjes së Bordit të ZRRE-së ishte përfshirë edhe vazhdimi i licencës së EFT-së, por vendimmarrja për këtë çështje ishte shtyrë.

Ajo ka theksuar se më 16 nëntor Qeveria mori vendim për ndalimin e tregtisë së energjisë elektrike me kompanitë serbe, prandaj kërkon nga ZRRE-ja të sqarojë nëse rilicencimi i EFT-së është ende në agjendë.

“ZRRE duhet të na përgjigjet publikisht: A e ka ende në rend dite rilicencimin e EFT-së apo e ka hequr nga rendi i ditës?”, ka shkruar Bajrami, shkruan Reporteri.net.

Ndërsa, deputetja tjetër e LDK-së, Janina Ymeri ka kritikuar masat emergjente të Qeverisë për furnizimin me energji elektrike, duke vënë në pikëpyetje ndikimin e tyre në kapacitetin e përgjithshëm energjetik.

Sipas saj, blloku B1 i Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit, ka kapacitet neto prej 264 megavatësh, ndërsa kapaciteti neto i hidrocentralit të Ujmanit është 35 megavatë.

Duke u bazuar në këto shifra, Ymeri ka thënë se kapaciteti i Ujmanit është 7.5 herë më i vogël sesa ai i bllokut B1.

“Praktikisht, masat qeveritare për nga kapaciteti janë pa efekt”, ka shkruar ajo.

Edhe deputeti i Aleancës, Burim Ramadani ka reaguar lidhur me krizën energjetike, duke e cilësuar atë si dëshmi të mungesës së punës së Qeverisë.

Ai ka kritikuar Qeverinë për rritjen e çmimeve, mungesën e investimeve dhe problemet në sektorë të ndryshëm, duke përmendur arsimin, shëndetësinë, sigurinë dhe largimin e qytetarëve nga vendi.

Sipas tij, situata me energjinë elektrike është një tjetër dëshmi e mungesës së planifikimit dhe investimeve për zhvillimin e vendit.

“Kriza e rrymës është dëshmia më e qartë e mospunës së Qeverisë”, ka shkruar Ramadani.

Ai ka kritikuar gjithashtu, nepotizmin në institucione dhe mungesën e një plani për investime dhe zhvillim.

Çfarë parasheh gjendja emergjente në energji, masat që do të zbatohen për 60 ditë

Pas miratimit nga Kuvendi të masave emergjente për furnizimin me energji elektrike, Kosova do të hyjë në një periudhë 60-ditore të zbatimit të masave të veçanta, që synojnë menaxhimin e situatës në sektorin energjetik dhe sigurimin e furnizimit për konsumatorët.

Vendimi i Qeverisë, i miratuar nga Kuvendi pas mesnatës me 61 vota, parasheh disa obligime konkrete për ndërmarrjet dhe institucionet publike, ndërsa një rol të rëndësishëm në këtë periudhë do ta ketë edhe hidrocentrali i Ujmanit.

Ujmani do të prodhojë energji kur kërkesa është më e lartë

Njëra nga masat kryesore është obligimi për ndërmarrjen hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci” që të prodhojë energji elektrike nga hidrocentrali i Ujmanit për konsumatorët që gëzojnë të drejtën e shërbimit universal.

Prodhimi do të bëhet sipas udhëzimeve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), i cili do të përcaktojë kohën kur energjia nga Ujmani duhet të prodhohet.

Sipas vendimit, KOSTT-i do të obligohet ta udhëzojë ndërmarrjen që të prodhojë energji, aq sa lejojnë mundësitë teknike, gjatë orëve të pikut, kur konsumi është më i lartë.

Prodhimi mund të kërkohet edhe në periudha të tjera, kur energjia nga Ujmani ndikon më së shumti në uljen e kostove të sistemit ose kur është e nevojshme për sigurinë e furnizimit.

Për energjinë e prodhuar, “Ibër-Lepenci” do të kompensohet nga Furnizuesi për Shërbim Universal, sipas çmimit referent të përcaktuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Institucionet publike obligohen të kursejnë rrymën

Një tjetër masë që parasheh vendimi është obligimi për të gjitha institucionet publike që të ndërmarrin masa për kursimin e energjisë elektrike.

Kjo nënkupton se institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin veprime për ta reduktuar konsumin e energjisë gjatë kësaj periudhe.

Megjithatë, në vendimin e miratuar nuk përcaktohet një përqindje konkrete e kursimit apo një orar i detyrueshëm për kufizimin e konsumit.

Komitet emergjent për ta përcjellë situatën

Në kuadër të masave do të themelohet edhe Komiteti Teknik Emergjent, i cili do të krijohet dhe udhëhiqet nga Ministria e Ekonomisë dhe do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve dhe ndërmarrjeve relevante.

Ky komitet do të ketë për detyrë të rekomandojë masa shtesë për menaxhimin e situatës në furnizimin me energji elektrike, përfshirë edhe vendosjen e kushteve të veçanta komerciale.

Po ashtu, do të jetë përgjegjës për monitorimin e vazhdueshëm të sigurisë së furnizimit dhe do t’i raportojë Ministrisë së Ekonomisë çdo dy javë.

Raportimi do të përfshijë disponueshmërinë e kapaciteteve për prodhimin e energjisë, furnizimin, kërkesën për energji elektrike dhe gjendjen e rrjetit në vend.

Qeveria mund të ndërmarrë edhe masa të tjera

Vendimi parasheh gjithashtu mundësinë që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë masa të tjera të veçanta, varësisht nga nevojat që mund të paraqiten gjatë periudhës emergjente.

Kjo do të thotë se masat aktuale nuk janë domosdoshmërisht të vetmet që mund të zbatohen, pasi Komiteti Teknik Emergjent mund të propozojë veprime shtesë për përballimin e situatës.

Megjithatë, vendimi aktual nuk parasheh shprehimisht reduktime të detyrueshme të energjisë për amvisëritë apo biznese, por përqendrohet në shtimin dhe menaxhimin e prodhimit vendor, kursimin në institucionet publike dhe monitorimin e sigurisë së furnizimit.

Pse u shpallën masat emergjente?

Në arsyetimin e vendimit, Qeveria ka përmendur disa faktorë që kanë ndikuar në sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Ndër ta është mosoperimi i njësisë B1 të Termocentralit “Kosova B”, për shkak të punimeve për instalimin e elektrofiltrave të rinj dhe sistemit për reduktimin e oksideve të azotit (NOx), projekt ky i financuar dhe kontraktuar nga Bashkimi Evropian.

Qeveria ka theksuar se vonesat në këtë projekt dhe paqartësitë rreth rikthimit të njësisë në funksion kanë rritur rrezikun për furnizimin gjatë sezonit dimëror.

Një tjetër problem i përmendur është bllokimi nga Serbia i funksionalizimit komercial të kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit, çka sipas Qeverisë kufizon mundësitë e importit të energjisë elektrike dhe ndikon në rritjen e kostove.

Në vendim përmenden edhe çmimet e larta të importit, të ndikuara nga zhvillimet në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Masat emergjente do të jenë në fuqi për 60 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa Qeveria ka lënë të hapur mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve të tjera në varësi të zhvillimit të situatës.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Gjilan: U shtir se vuan nga leukemia dhe zhvati afro 190 mijë euro përmes “GoFundMe”, arrestohet i dyshuari

Gjilan: U shtir se vuan nga leukemia dhe zhvati afro 190 mijë euro përmes “GoFundMe”, arrestohet i dyshuari

“Gjeni, ka të majtë shkatërruese”- Spalletti me lavdata të mëdha për Zhegrovën

“Gjeni, ka të majtë shkatërruese”- Spalletti me lavdata të mëdha për Zhegrovën

Gashi kritikon Kurtin: Po na e shet varfërinë si kënaqësi

Gashi kritikon Kurtin: Po na e shet varfërinë si kënaqësi

“A do rilicencohet EFT’ja e Vuk Hamoviqit”- Opozita kritikon Qeverinë Kurti dhe ZRRE’në për çështjen e rrymës | Momenti