Publikimi i programit politik të lëvizjes studentore në Serbi tregon se, pavarësisht profilit të saj kundër pushtetit të Aleksandar Vuçiqit dhe pretendimeve për ndryshim politik, në raport me Kosovën ajo nuk ofron ndonjë shkëputje thelbësore nga politika tradicionale nacionaliste e Beogradit.

Analizë
Qëndrimi për Kosovën është ndër pikat më të qarta të dokumentit.
Studentët nuk e trajtojnë pavarësinë e saj si realitet politik që duhet pranuar, por si çështje që Serbia duhet ta kundërshtojë vazhdimisht. Madje, zotimi për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe paralajmërimi për ndjekje penale të zyrtarëve që kanë negociuar marrëveshje në dialog tregojnë se lëvizja synon një qasje edhe më konfrontuese ndaj procesit të normalizimit.
Përtej retorikës për mbrojtjen e serbëve në Kosovë, programi përmban elemente që mund të prodhojnë tensione të reja me Prishtinën. Ideja e lidhjes administrative të vendbanimeve serbe dhe krijimit të njësive lokale me autonomi sa më të madhe, e kombinuar me mbrojtjen e strukturave paralele arsimore, shëndetësore dhe institucionale, lë të kuptohet se synohet ruajtja dhe forcimi i ndikimit institucional të Serbisë brenda Kosovës.
Një dimension tjetër shqetësues është orientimi ndaj Republikës Srpska.
Mbështetja për kompetencat e saj, të drejtën e vetos dhe kundërshtimi i ushtrimit të kompetencave të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar tregojnë se lëvizja e sheh politikën kombëtare serbe përtej kufijve të Serbisë. Kjo e vendos programin në vazhdimësinë e konceptit politik të mbrojtjes dhe konsolidimit të ndikimit serb në rajon.
Rusia dhe Kina, vazhdimësi e politikës së jashtme të Vuçiqit
Përtej Kosovës dhe rajonit, programi i Listës Studentore nuk paralajmëron ndonjë riorientim të rëndësishëm të politikës së jashtme të Serbisë. Përkundrazi, në raport me Rusinë dhe Kinën, dokumenti përmban qëndrime që përkojnë në masë të madhe me politikën e ndjekur nga Aleksandar Vuçiqi.
Në kapitullin që i kushtohet marrëdhënieve ndërkombëtare, studentët zotohen për ruajtjen e partneritetit tradicional me Federatën Ruse, veçanërisht në koordinimin në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mbrojtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me interes të përbashkët.
Kjo është veçanërisht domethënëse për Kosovën, pasi Moska vazhdon të jetë një prej mbështetësve kryesorë diplomatikë të Beogradit në kundërshtimin e pavarësisë së saj dhe në pengimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Madje, programi nuk lë hapësirë për paqartësi as sa i përket luftës në Ukrainë. Lëvizja deklaron shprehimisht se Serbia nuk do të vendosë masa kufizuese ndaj Federatës Ruse, duke argumentuar se sanksionet nuk janë instrument që ndihmon në zgjidhjen e sfidave politike dhe të sigurisë.
Në të njëjtën kohë, dokumenti shpreh mbështetje për integritetin territorial të Ukrainës dhe përfundimin e luftës përmes zgjidhjeve paqësore. Kjo krijon një kontrast në qëndrimin e saj: mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por refuzon të ndërmarrë masa politike ndaj shtetit që e ka cenuar atë.
Sa i përket Kinës, studentët paralajmërojnë zhvillimin e një partneriteti gjithëpërfshirës strategjik me Pekinin, të cilin e cilësojnë si partnerin më të rëndësishëm tregtar të Serbisë në Azi. Bashkëpunimi parashihet të zgjerohet nga ekonomia dhe infrastruktura drejt industrisë dhe investimeve teknologjike.
Ndërkaq, në raport me Perëndimin, programi paraqet një qasje pragmatike. Bashkimi Evropian cilësohet si partneri më i rëndësishëm ekonomik i Serbisë, ndërsa paralajmërohet vazhdimi i partneriteteve strategjike me disa shtete anëtare. Gjithashtu, shprehet gatishmëri për zhvillimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë bashkëpunimin në energjetikë, telekomunikacion, mbrojtje dhe teknologji.
Megjithatë, ky afrim me Perëndimin nuk shoqërohet me ndonjë zotim për ndryshimin e qëndrimit ndaj Rusisë. Përkundrazi, Serbia parashihet të ruajë neutralitetin ushtarak si përcaktim strategjik dhe të vazhdojë politikën e mosvendosjes së sanksioneve ndaj Moskës.
Në këtë mënyrë, Lista Studentore nuk propozon shkëputje nga modeli i politikës së jashtme të Vuçiqit, por një vazhdim të balancimit ndërmjet Brukselit, Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit. Ndryshimi që ajo premton duket më shumë i orientuar drejt reformimit të institucioneve dhe administratës shtetërore sesa drejt ndryshimit të aleancave dhe përcaktimeve strategjike të Serbisë.
Çfarë mund të nënkuptojë kjo për Kosovën në të ardhmen?
Nëse lëvizja studentore arrin të shndërrohet në faktor vendimmarrës në Serbi, një prej sfidave të para për Kosovën do të ishte vetë vazhdimësia e dialogut me Beogradin. Deklarimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani si të papranueshme dhe kërcënimi me përgjegjësi penale ndaj atyre që i kanë negociuar mund ta vendosin në pikëpyetje zbatimin e obligimeve ekzistuese.
Kjo do të krijonte pasiguri jo vetëm për marrëveshjet e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, por edhe për të ardhmen e procesit të normalizimit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Në praktikë, Prishtina mund të përballet me një Beograd që nuk e përdor më vetëm retorikën e Vuçiqit për ta kundërshtuar Kosovën, por që e përfshin këtë kundërshtim në një platformë të re politike, të paraqitur si alternativë demokratike ndaj pushtetit aktual. Kjo do ta bënte edhe më të vështirë dallimin ndërmjet ndryshimit të brendshëm politik në Serbi dhe ndryshimit të politikës së saj ndaj Kosovës.
Një tjetër pikë potenciale e përplasjes do të ishte veriu i Kosovës. Ideja për lidhjen administrative të vendbanimeve serbe dhe zgjerimin maksimal të autonomisë lokale mund të shndërrohet në kërkesë për një model të tillë të vetëqeverisjes që tejkalon kompetencat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshjet e arritura në dialog.
Nëse kësaj i shtohet edhe këmbëngulja për ruajtjen e institucioneve të financuara dhe të kontrolluara nga Serbia, atëherë çështja nuk do të ishte vetëm mbrojtja e të drejtave të komunitetit serb, por edhe kufiri i sovranitetit dhe autoritetit institucional të Kosovës.
Kjo mund të prodhojë një situatë ku çdo përpjekje e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e rendit kushtetues dhe funksionimin e tyre në të gjithë territorin interpretohet nga Beogradi si cenim i të drejtave të serbëve. Një narrativë e tillë do t’i ofronte lidershipit të ri mundësinë për të ushtruar presion të vazhdueshëm politik dhe diplomatik ndaj Kosovës, duke e zhvendosur përgjegjësinë për tensionet te Prishtina.
Edhe në planin ndërkombëtar, programi nuk jep sinjale për ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Nëse zotimi për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare zbatohet si politikë shtetërore, Serbia do të vazhdonte fushatën diplomatike kundër subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Madje, një lëvizje që vjen në pushtet me pretendimin për demokratizimin e Serbisë mund ta përdorë këtë profil për të kërkuar më shumë mirëkuptim nga partnerët perëndimorë, pa bërë domosdoshmërisht lëshime në çështjen e Kosovës.
Pikërisht këtu qëndron një prej sfidave për Prishtinën: një Serbi me institucione më demokratike dhe me një lidership të ri mund të jetë më e pranueshme për Perëndimin, por kjo nuk do të thotë automatikisht se do të jetë më konstruktive ndaj Kosovës.
Nëse Beogradi vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Moskën dhe Pekinin, ndërsa njëkohësisht kërkon afrim me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, atëherë Kosova mund të mbetet sërish në qendër të një politike të dyfishtë: bashkëpunim ekonomik dhe diplomatik me Perëndimin, por kundërshtim i vazhdueshëm i shtetësisë së saj.
Për më tepër, mbështetja e hapur për Republikën Srpska dhe kundërshtimi i rolit të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë sugjerojnë se vizioni rajonal i kësaj lëvizjeje nuk kufizohet te mbrojtja e interesave të shtetit serb brenda kufijve të tij. Kjo mund të ndikojë në raportet e ardhshme me Kosovën dhe Bosnjën, veçanërisht nëse Beogradi vazhdon ta trajtojë pozitën e serbëve në rajon si çështje të përbashkët politike dhe strategjike.
Për Kosovën, mesazhi kryesor është se ndryshimi i mundshëm i pushtetit në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të qasjes ndaj saj. Nëse lëvizja studentore shndërrohet në faktor vendimmarrës, Prishtina mund të përballet me një lidership të ri, por me kërkesa të njohura: kundërshtim të shtetësisë, pengim të integrimit ndërkombëtar dhe përpjekje për zgjerimin e autonomisë institucionale të komunitetit serb.
Në këtë kuptim, programi zbulon një paradoks të lëvizjes studentore: ajo kërkon ndryshim të sistemit politik në Serbi, por në çështjet që lidhen me Kosovën, Rusinë dhe pozitën e serbëve në rajon mbetet brenda kornizës tradicionale të politikës së Beogradit.
Në fund, për Kosovën mund të mos jetë vendimtare vetëm se kush do ta zëvendësojë Vuçiqin, por se çfarë politike do të ndjekë pasardhësi i tij. Një ndryshim i tillë mund të sjellë një stil tjetër komunikimi me Perëndimin, institucione më transparente dhe një raport të ri me opozitën e brendshme, por nëse programi aktual mbetet udhërrëfyes, në raport me Kosovën do të kemi më shumë vazhdimësi sesa ndryshim.
Mbetet të shihet nëse këto qëndrime janë vetëm një platformë mobilizuese për elektoratin serb apo orientim që do të shndërrohet në politikë konkrete në rast të ardhjes në pushtet. Për Prishtinën, sidoqoftë, ky program është një sinjal se nuk duhet ngatërruar kundërshtimi i Vuçiqit me gatishmërinë për të ndryshuar politikën e Serbisë ndaj Kosovës./Telegrafi.





