Kosova ka importuar mallra në vlerë prej mbi 6.3 miliardë eurosh gjatë periudhës janar–tetor 2026, ndërsa eksportet arritën në 960 milionë euro.

Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, importi shënoi rritje prej 8.5% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2025, kur vlera e mallrave të importuara ishte 5.81 miliardë euro, raporton KP, transmeton Klankosova.tv
Rritje më të theksuar në përqindje pati eksporti, i cili nga 774.8 milionë euro në 10 muajt e parë të vitit 2025 arriti në 960 milionë euro gjatë vitit 2026, apo 23.9% më shumë.
Megjithatë, diferenca ndërmjet importeve dhe eksporteve vazhdon të mbetet e lartë. Deficiti tregtar për periudhën janar–tetor 2026 arriti në 5.34 miliardë euro, nga 5.04 miliardë euro në periudhën përkatëse të vitit paraprak.
Të dhënat mujore tregojnë se korriku ishte muaji me importin më të lartë gjatë vitit 2026, me 716.7 milionë euro, i ndjekur nga tetori me 694.9 milionë euro dhe qershori me 676.3 milionë euro.
Ndërkaq, eksporti më i lartë u regjistrua në tetor, me 124.2 milionë euro, krahasuar me 91.8 milionë euro në tetor 2025.




