Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit i Kosovës, Përparim Kryeziu, gjatë vizitës së tij në Kroaci, është pritur në Ambasadën e Kosovës në Zagreb nga ambasadori Martin Berishaj.

Gjatë takimit është diskutuar për mundësitë e avancimit të bashkëpunimit dypalësh në fushën e arsimit, shkencës dhe kërkimit shkencor, si dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve.
Në fokus të bisedës kanë qenë edhe zhvillimi i nismave dhe projekteve të përbashkëta, të cilat synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave në këto fusha, transmeton Telegrafi.
Sipas njoftimit, arsimi dhe shkenca konsiderohen fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin shoqëror, afrimin e brezave të rinj dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tradicionale miqësore ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë./Telegrafi/





