Ismaili ka thënë se aplikimi zyrtar është bërë pas një pune intensive të udhëhequr nga BQK-ja, me mbështetjen e institucioneve të tjera të Kosovës.
Ai ka theksuar se për këtë proces është kompletuar paketa ligjore dhe rregullative, përmes miratimit të ligjeve në Kuvend dhe rregulloreve e udhëzimeve nga BQK-ja.

Pas aplikimit, pritet të nisë procesi i vlerësimit nga institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian, ndërsa vendimi për anëtarësimin e Kosovës në SEPA pritet të merret vitin e ardhshëm. Pas përfundimit të këtij procesi, do të nisë ndërlidhja teknike për funksionalizimin e pagesave ndërkombëtare me 41 vendet pjesëmarrëse në këtë zonë.
Guvernatori Ismaili ka vlerësuar se anëtarësimi në SEPA do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, bizneset dhe diasporën, duke mundësuar transfere më të shpejta, më të sigurta dhe me kosto më të ulët.
Sipas vlerësimeve të BQK-së, kursimet vjetore nga tarifat dhe komisionet e transaksioneve pritet të jenë mbi 55 milionë euro.
“SEPA mundëson që transferet të realizohen sipas standardeve të BE-së, përkatësisht mes Kosovës dhe vendeve të BE-së, sikur të ishim ne tashmë anëtarë të Bashkimit Evropian”, ka thënë Ismaili.
Krahas aplikimit për SEPA, një tjetër zhvillim i rëndësishëm në sistemin financiar të Kosovës është lansimi i sistemit të ri të pagesave të shpejta, i njohur si TIPS-klon.
Sipas guvernatorit të BQK-së, ky sistem do të lansohet më 20 nëntor, ndërsa nga 23 nëntori do të nisë të jetë në dispozicion të klientëve të bankave që do të arrijnë të kyçen fillimisht në të.
Sistemi, i zhvilluar nga BQK-ja përmes Bankës Qendrore të Italisë, me lejen e Bankës Qendrore Evropiane, do të mundësojë transfere ndërbankare në kohë reale, pa kufizime të ditëve dhe orarit.
“Do të mund të kryhen transferet ndërbankare, pra bankë me bankë, në kohë reale, 24/7, në çdo ditë të javës”, ka bërë të ditur Ismaili.
Ai ka sqaruar se bankat e tjera do të kyçen gradualisht në sistem nga 23 nëntori deri më 23 shkurt, kur pritet që të gjitha bankat të jenë pjesë e tij. Më pas, kyçja do të vazhdojë edhe për institucionet jobankare.
Sipas Ismailit, funksionalizimi i sistemit të ri pritet të ndikojë në qarkullimin ekonomik, rritjen e likuiditetit dhe uljen e kostove të transaksioneve.
Burimi: RTKLive




