Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, Gëzim Berisha është pezulluar përkohësisht nga marrëdhënia e punës, pas arrestimit të tij.

Vendimi për pezullimin e tij hyn në fuqi nga data 2 nëntor 2026 dhe do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Mirlinda Qyqalla, e cila ka bërë të ditur se masa është ndërmarrë si pasojë e mbajtjes së Berishës në arrest, bazuar në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Ky vendim është marrë si pasojë e mbajtjes së tij në arrest, në bazë të Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë. SHSKUK do të veprojë në përputhje me vendimet dhe procedurat ligjore në fuqi”, ka deklaruar Qyqalla.
Ndërkaq, pezullimi do të jetë i përkohshëm dhe do të vazhdojë deri në një vendim të ri lidhur me statusin e tij të punës.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji Gëzim Berishës, drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, i cili dyshohet për veprën penale “Dhuna në familje”.
Gjykata ka bërë të ditur se ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Berishës.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit G.B. si të pabazuar dhe përmes Aktvendimit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Sipas vendimit, Stacioni Policor në Vushtrri është obliguar të zbatojë dhe të verifikojë respektimin e kësaj mase nga i pandehuri.
Në rast të mosrespektimit të saj, Policia duhet ta njoftojë menjëherë gjyqtaren e procedurës paraprake.
Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale, për të mbrojtur të dëmtuarën dhe për të siguruar zhvillimin e rregullt të procedurës.
Vendimi është marrë duke pasur parasysh edhe faktin se, sipas Gjykatës, i pandehuri dhe e dëmtuara nuk jetojnë më në bashkësi familjare, ndërsa arresti shtëpiak është caktuar në pronën ku viktima nuk banon, me qëllim të shmangies së kontaktit të drejtpërdrejtë mes tyre. /telegrafi/




