Është konfirmuar një rast me malarie në Shqipëri. Bëhet fjalë për një shtetas të huaj, i cili është diagnostikuar me këtë sëmundje dhe aktualisht ndodhet i izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive.

Pacienti është nën kujdesin e mjekëve dhe po merr trajtimin përkatës. Ndërkohë, dyshohet edhe për një rast tjetër, por ende nuk ka të dhëna të konfirmuara për të.
Rasti i konfirmuar ka rikthyer vëmendjen te malaria, një sëmundje infektive që prej dekadash nuk transmetohet në mënyrë endemike në Shqipëri. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, rastet e regjistruara në vend kanë qenë kryesisht të importuara nga persona që kanë udhëtuar në zona ku malaria është e përhapur.
Malaria transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara dhe mund të shkaktojë temperaturë të lartë, të dridhura, dhimbje koke dhe komplikacione të rënda nëse nuk trajtohet në kohë. /Tch/
Burimi: Insajderi





