Një rast me malarie është konfirmuar në Shqipëri, ku një shtetas i huaj është shtruar në spital dhe është izoluar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Sipas informacioneve paraprake, gjendja shëndetësore e pacientit po monitorohet nga stafi mjekësor. Ndërkohë, dyshohet edhe për një rast të dytë, por deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar.
Rasti i konfirmuar ka rikthyer vëmendjen te malaria, një sëmundje infektive që nuk transmetohet në mënyrë endemike në Shqipëri prej disa dekadash.
Rastet e evidentuara ndër vite kanë qenë kryesisht të importuara, nga persona që kanë udhëtuar në vende ku kjo sëmundje është e përhapur.
Malaria transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, ndërsa simptomat më të zakonshme janë temperatura e lartë, të dridhurat dhe dhimbjet e kokës.
Në rastet kur nuk diagnostikohet dhe trajtohet me kohë, sëmundja mund të shkaktojë komplikime të rënda shëndetësore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





