Paralajmërimi i koncertit të këngëtares serbe Svetlana Razhnatoviq – e njohur si Ceca – më 5 dhjetor në qytetin Burgdorf të kantonit të Bernës, ka nxitur debate në Zvicër. Ndërsa organizatorët e shohin 53-vjeçaren si një yll të muzikës pop dhe person që sjell fitim të sigurt, për një pjesë të madhe të komuniteteve nga Kosova, Bosnja e Kroacia, ky organizim përbën një fyerje të rëndë që rikthen kujtimet e përgjakshme të viteve të nëntëdhjeta, raportoi të shtunën gazeta Basler Zeitung.

Gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit po shkaktonte mbi 130 mijë viktima, Ceca u shndërrua në ikonën e muzikës “turbofolk” – zhanrit që shërbeu si kolona zanore e nacionalizmit serb. Ngritja e saj është e pandashme nga martesa e bujshme në shkurt të vitit 1995 me kriminelin e luftës Zhelko Razhnatoviq, të njohur si Arkan. Kjo martesë simbolizoi bashkimin e politikës, krimit të organizuar dhe kulturës popullore në Serbinë e atëhershme, transmeton Telegrafi.
Nën komandën e Arkanit, njësia paramilitare “Tigrat e Arkanit” kreu masakra ndaj popullsisë civile në Vukovar të Kroacisë, në Bosnjë dhe më pas edhe në Kosovë. Përpara se të vritej në një hotel në Beograd në vitin 2000, Tribunali i Hagës kishte ngritur aktakuzë ndaj tij për krime lufte, dhunime dhe krime kundër njerëzimit. Pak kohë më parë, në vitin 1983, Arkani kishte qenë i burgosur në Zvicër, në burgun Thorberg të Bernës, prej nga kishte arritur të arratisej duke kapërcyer murin katër metra të lartë.
Edhe pas vdekjes së bashkëshortit, Ceca ruajti lidhjet me strukturat e errëta të pushtetit dhe krimit. Në vitin 2003, pas vrasjes së kryeministrit reformator Zoran Gjinqiq, në vilën e saj u gjetën armë të paligjshme dhe u zbuluan kontaktet e saj me Milorad Ulemek “Legija”, një ish-pjesëtar i “Tigrave të Arkanit” i dënuar për këtë atentat. Po ashtu, në vitin 2011 ajo pranoi se kishte përvetësuar miliona euro nga shitja e lojtarëve të klubit të futbollit FK Obiliq, të cilin e kishte trashëguar nga Arkani.
Ndonëse sot mundohet të paraqitet si artiste jopolitike, në vitin 2002 ajo deklaronte publikisht për Tribunalin e Hagës: “U djegtë, o zot, dhe e urrej Carla Del Ponten”, duke iu referuar kryeprokurores zvicerane që kërkonte ekstradimin e kriminelëve serbë.
Përballë kritikave të familjeve të viktimave, të cilat e shohin kultin rreth saj si mohim të përgjegjësisë historike, drejtuesi i sallës Markthalle në Burgdorf, Bruno Aebi, e ka mbrojtur dhënien me qira të hapësirës, shkruan Basler Zeitung. Ai ka deklaruar se e kupton dhimbjen që ky koncert u shkakton njerëzve nga Kosova, Bosnja e Kroacia, por ka arsyetuar se Ceca performon në mbarë Evropën dhe se repertori i saj nuk përmban mesazhe politike apo thirrje për urrejtje. Ndërkohë, vetë këngëtarja dhe organizatorët e koncertit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve zviceranë rreth kësaj polemike./Telegrafi/





