Komisioni hetimor parlamentar nis sot punën për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt

Komisioni hetimor parlamentar nis sot punën për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt

Komisioni hetimor parlamentar nis sot punën për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt

Rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt, e cila humbi jetën më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, do të jetë sot në fokus të një komisioni të posaçëm hetimor parlamentar në Kuvendin e Kosovës.

Sponsor 3M Express

Komisioni, i përbërë nga përfaqësues të të gjitha partive politike, do të mbajë mbledhjen e parë sot në orën 11:30, me qëllim të shqyrtimit të rrethanave që i paraprinë vrasjes dhe identifikimit të veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse.

Pjesë e këtij komisioni është edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Emilia Rexhepi, e cila ka thënë se përmes këtij procesi synohet të kuptohet nëse ka pasur pengesa apo dështime institucionale në trajtimin e rastit.

“Do të duhet të konfirmojmë të gjitha rrethanat që i kanë paraprirë vrasjes së Arlindës. Numri i vrasjeve të grave tona është shumë i madh dhe kjo tregon se ne, si shoqëri në tërësi, kemi probleme me të cilat duhet të përballemi”, ka deklaruar Rexhepi.

Ajo ka bërë të ditur se komisioni do të angazhohet për të analizuar mënyrën se si kanë vepruar institucionet gjatë trajtimit të rastit.

“Do të japim maksimumin tonë që të shohim se si po shkon hetimi lidhur me rastin e Arlindës dhe të kuptojmë nëse institucionet, ndoshta diku, janë bllokuar në këtë proces”, është shprehur Rexhepi.

Komisioni kryesohet nga Burim Ramadani dhe është themeluar nga Kuvendi i Kosovës me 90 vota për. Mandati i tij është të hetojë veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin e Arlindës dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje.

Çfarë dihet për rastin e Arlinda Zekajt?

Arlinda Zekaj, 49-vjeçare, ishte vrarë më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet ish-kunati, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan.

Rasti kishte nxitur reagime të shumta, veçanërisht për shkak të paralajmërimeve të vazhdueshme të viktimës drejtuar institucioneve për dhunën dhe rrezikun që i kanosej.

Arlinda kishte raportuar dhunë fizike dhe psikologjike, kishte kërkuar mbrojtje institucionale dhe kishte ngritur shqetësime për sigurinë e saj.

Më 16 tetor, Gjykata Themelore në Pejë kishte nxjerrë një urdhër mbrojtjeje emergjente gjashtëmujor, përmes të cilit Arlindës i ishte mundësuar shfrytëzimi i shtëpisë së përbashkët dhe kujdestaria e përkohshme e djalit.

Megjithatë, situata kishte vazhduar të mbetej e tensionuar. Vetëm dy ditë para vrasjes, më 23 tetor, një zyrtar policor u kishte dërguar e-mail drejtuesve të Policisë, duke kërkuar masa shtesë për sigurinë e saj dhe vizita të përditshme të patrullave policore.

Në komunikimin e tij, zyrtari kishte paralajmëruar për rrethana shqetësuese në shtëpinë ku ndodhej viktima.

Më 25 tetor, Arlinda ishte kthyer në shtëpinë e saj në përcjellje të Policisë, ndërsa vetëm pak më vonë ishte vrarë.

Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të shumta për mënyrën se si institucionet i kishin trajtuar raportimet e saj dhe nëse vrasja mund të ishte parandaluar përmes një reagimi më efektiv.

Pas vrasjes, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar rezolutë dhe më pas kishte themeluar komisionin hetimor parlamentar, i cili tashmë nis punën për të shqyrtuar përgjegjësitë institucionale dhe për të hedhur dritë mbi të gjitha rrethanat e rastit.

Hetimi parlamentar pritet të fokusohet në trajtimin e denoncimeve të viktimës, zbatimin e masave mbrojtëse dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse para vrasjes së saj. /Telegrafi/

Lexo edhe

Evropa përballë një skenari të ri energjetik, SHBA-ja propozon rikthimin e gazit rus në treg

Evropa përballë një skenari të ri energjetik, SHBA-ja propozon rikthimin e gazit rus në treg

E tmerrshme: AUV asgjëson edhe mbi 21 tonë produkte mishi në ELKOS, pas dyshimeve për myk

E tmerrshme: AUV asgjëson edhe mbi 21 tonë produkte mishi në ELKOS, pas dyshimeve për myk

Iliana Iotova zgjidhet presidentja e parë grua e Bullgarisë

Iliana Iotova zgjidhet presidentja e parë grua e Bullgarisë

Komisioni hetimor parlamentar nis sot punën për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt | Momenti