Komision shtetëror ekspertësh dhe analizë të aktgjykimit, Arsim Bajrami me propozime për Apelin në Hagë

Komision shtetëror ekspertësh dhe analizë të aktgjykimit, Arsim Bajrami me propozime për Apelin në Hagë

Komision shtetëror ekspertësh dhe analizë të aktgjykimit, Arsim Bajrami me propozime për Apelin në Hagë

Akademiku Arsim Bajrami ka propozuar themelimin urgjent të një komisioni shtetëror të ekspertëve juridikë, i cili do të analizonte aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë dhe do të ofronte ekspertizë shtesë për ekipet e mbrojtjes në fazën e ankimimit.

Sponsor 3M Express

Bajrami ka vlerësuar se procesi i ardhshëm në Apel paraqet një sfidë të rëndësishme juridike dhe institucionale për Kosovën. Sipas tij, angazhimi në këtë fazë duhet të përqendrohet në argumente profesionale, analizimin e provave dhe identifikimin e shkeljeve të mundshme procedurale dhe materiale.

“Beteja e ardhshme është ekskluzivisht juridike”, ka shkruar Bajrami, duke theksuar se Kosova duhet ta zhvendosë fokusin nga mobilizimi politik drejt angazhimit juridik dhe profesional.

Sipas propozimit të tij, komisioni duhet të përbëhet nga gjyqtarë dhe ish-gjyqtarë, prokurorë, avokatë penalistë, profesorë të së drejtës penale dhe ekspertë të së drejtës penale ndërkombëtare.

Ky mekanizëm, sipas Bajramit, do të kishte për mandat analizimin e aktgjykimit të shkallës së parë, shqyrtimin e mënyrës së vlerësimit të provave, përgjegjësisë individuale penale dhe bazës juridike të pretendimeve për përgjegjësi komanduese.

Ai ka kërkuar që ekspertiza e komisionit të përfundojë brenda muajit nëntor, duke marrë parasysh afatet procedurale të ankimimit. Megjithatë, ka theksuar se puna e këtij komisioni nuk duhet të pengojë përgatitjen dhe dorëzimin me kohë të ankesave nga ekipet e mbrojtjes.

“Dokumenti i komisionit duhet të shërbejë si material plotësues për mbrojtjen dhe jo si kusht apo pengesë për dorëzimin me kohë të ankesave”, ka theksuar ai.

Në propozimin e tij, akademiku ka renditur edhe disa fusha ku duhet të përqendrohet strategjia juridike në shkallën e dytë.

Ndër to janë kundërshtimi i konstatimeve faktike të aktgjykimit, analiza e përgjegjësisë individuale të të akuzuarve, vlerësimi i besueshmërisë së dëshmitarëve dhe shqyrtimi i pretendimeve për ekzistencën e një plani apo qëllimi kriminal.

Vëmendje të veçantë, sipas tij, duhet t’i kushtohet edhe dokumentimit të kontekstit historik dhe juridik të luftës në Kosovë, si dhe analizimit të strukturës organizative dhe komanduese të UÇK-së.

Bajrami ka propozuar gjithashtu identifikimin e dëshmitarëve dhe provave shtesë që mund të pranohen në procedurën ankimore, duke nënvizuar se ankimi nuk nënkupton përsëritje automatike të gjykimit të shkallës së parë.

“Qëllimi nuk është thjesht shtimi i numrit të dëshmitarëve. Qëllimi është që çdo dëshmi dhe çdo provë të ketë rëndësi konkrete juridike”, ka shkruar ai.

Një tjetër propozim i akademikut është përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë dhe organizatave të pavarura në monitorimin e respektimit të standardeve të gjykimit të drejtë në Dhomat e Specializuara.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur rëndësinë e respektimit të prezumimit të pafajësisë, barazisë së armëve ndërmjet akuzës dhe mbrojtjes, të drejtës për mbrojtje efektive dhe administrimit të paanshëm të provave.

Po ashtu, Bajrami ka kërkuar që Kosova të shqyrtojë edhe përvojën e Kroacisë në procesin gjyqësor ndaj gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markaç në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Të dy gjeneralët ishin dënuar në shkallën e parë, por më 16 nëntor 2012, Dhoma e Apelit i liroi nga akuzat përkatëse dhe rrëzoi dënimet ndaj tyre.

Sipas Bajramit, ky rast duhet të studiohet për mënyrën se si janë kundërshtuar konstatimet faktike, si janë vlerësuar provat dhe cilat argumente juridike kanë çuar në ndryshimin e vendimit në apel.

Në propozimet e tij, Bajrami ka përfshirë edhe angazhimin diplomatik të institucioneve të Kosovës. Ai ka kërkuar që Presidentja, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të komunikojnë me shtetet donatore të Dhomave të Specializuara dhe shtetet mike të Kosovës.

Përmes këtyre kontakteve, sipas tij, duhet të kërkohet mbështetje për monitorim të pavarur ndërkombëtar, transparencë më të madhe institucionale dhe ekspertizë juridike ndërkombëtare.

Megjithatë, ai ka theksuar se një angazhim i tillë duhet të zhvillohet pa cenuar pavarësinë e gjykatës dhe pa krijuar presion politik mbi procesin gjyqësor.

Në përfundim, akademiku ka bërë thirrje për veprim të menjëhershëm institucional, mobilizim të ekspertizës vendore dhe koordinim me ekipet e mbrojtjes.

“Lufta e UÇK-së duhet të mbrohet përmes së vërtetës historike, ndërsa pafajësia e të akuzuarve duhet të argumentohet përmes provave dhe standardeve të së drejtës penale”, ka përfunduar Bajrami.

Burimi: Insajderi

Lexo edhe

Gratë dhe të miturit në burgje do të mësojnë italisht

Gratë dhe të miturit në burgje do të mësojnë italisht

Kaosi me rezultate çon te ndarja: Ballkani ndan rrugët me trajnerin Sami Sermaxhaj

Kaosi me rezultate çon te ndarja: Ballkani ndan rrugët me trajnerin Sami Sermaxhaj

A mund të udhëtojmë në kohë? Fizikani thotë se vetëm një drejtim është i mundur

A mund të udhëtojmë në kohë? Fizikani thotë se vetëm një drejtim është i mundur