Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ilir Kurtishi, ka deklaruar se mungesa e përkohshme e ilaçit Palbociclib në këtë klinikë ka ardhur si pasojë e tejkalimit të shpenzimeve të planifikuara, pasi numri i pacientëve që nisën trajtimin ishte dyfish më i madh se parashikimi fillestar.

Në një deklaratë të publikuar të premten në faqen e QKUK-së në Facebook, Kurtishi ka dhënë detaje edhe për trajtimin e një pacienteje të ndjerë, e cila vuante nga kanceri i gjirit dhe që, sipas tij, gjatë gjithë periudhës së trajtimit nuk kishte mbetur pa barna.
Sipas Kurtishit, pacientja ishte diagnostikuar para gjashtë vitesh me kancer të gjirit, formë triple negative, e cila konsiderohet agresive. Në dhjetor të vitit 2025, sëmundja ishte rikthyer me metastaza të avancuara në peritoneum dhe në kocka. Pas paraqitjes në konsiliumin e Klinikës së Onkologjisë, ajo ishte diagnostikuar me një formë tjetër të kancerit të gjirit, hormon pozitive.
Që nga dhjetori i vitit 2025, sipas tij, pacientja kishte nisur trajtimin me ilaçet Palbociclib dhe Fulvestrant, të cilat përdoren në trajtimin e formave metastatike të kancerit të gjirit hormon pozitiv.
Kurtishi ka thënë se pacientja ishte përcjellë vazhdimisht nga mjekja përgjegjëse dhe trajtohej në cikle mujore.
“Para gjashtë viteve e ndjera ishte diagnostikuar me kancer të gjirit, triple negative, si formë agresive e sëmundjes dhe e cila e kishte ndjekur sëmundjen për gjashtë vite me radhë. Në dhjetor të vitit 2025, tani e ndjera, kishte relaps të sëmundjes me metastaza të avancuar në peritoneum dhe në kocka dhe atëherë është paraqitur në Konsiliumin e Klinikës së Onkologjisë, me ç’rast është ridiagnostifikuar si formë tjetër e kancerit të gjirit ose hormon pozitiv. Që nga dhjetor i vitit 2025, pacientja fillon dhe trajtohet me terapi të avancuar sipas protokolleve të trajtimit të sëmundjes me ilaçin Palbociclib dhe Fulvestrant që përshkruhet te format metastatike të trajtimit të sëmundjes hormon pozitive. Gjatë gjithë kohës dhe periudhës së trajtimit, ajo përcillet shumë afër nga mjekja, e cila e kontrollon dhe e trajton pacientin në cikle mujore. Dhe në Klinikën e Onkologjisë më 13 maj merr kutinë e fundit të Palbociclib, i zgjat deri më 13 qershor. Ndërkaq nga 13 qershori vazhdon të trajtohet prapë në Klinikën e Onkologjisë me Fulvestrant dhe në të njëjtën kohë siguron për dy muajt e ardhshëm dy kuti të barnave Palbociclib vetë pacientja. Ndërkaq më 18 gusht pacientja merr kutinë tjetër të Palbociclib në Klinikën e Onkologjisë dhe vazhdon mjekimin. Por edhe përkundër kësaj, pacientja gjatë gjithë kohës edhe pse është në trajtim, sëmundja metastatike agravon dhe avancon dhe paraqiten ndryshime të reja metastatike në tru dhe në boshtin kurrizor. Pra vlen të theksohet se pacientja edhe përkundër trajtimit apo asnjë moment të mosqëndrimit, asnjë moment pa barna, sëmundja agravon dhe avancon dhe në këtë mënyrë e rrezikon seriozisht shëndetin e saj”, ka deklaruar Kurtishi në video.
Duke folur për mungesën e Palbociclibit, drejtori i Onkologjisë ka thënë se ajo kishte zgjatur dy muaj dhe ishte shkaktuar nga numri më i madh i pacientëve që nisën trajtimin, krahasuar me planifikimin fillestar.
“Vlen të theksohet se mungesa e barit Palbocicklib për dy muaj në Klinikën e Onkologjisë ka ardhur pikërisht për shkak të tejkalimit të shpenzimit të këtij bari, meqenëse planifikimi fillestar ka qenë për 40 pacientë, ndërkaq në realitet në praktikë kanë filluar trajtimin rreth 80 pacientë dhe kjo ka sjellë te shpenzimi i parakohshëm i këtij ilaçi. Arsyeja e vetme dhe qëllimi kryesor është që të gjithë pacientët të cilët kanë pasur nevojë të marrin trajtimin e duhur”, ka deklaruar Kurtishi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali




