Poezi nga: Mary Oliver
Përktheu: Irena Dono

Do të doja të shkruaja një poezi për botën
sikur nuk ka asgjë për t’u magjepsur,
por e pamundur më duket.
Sido që të jetë tema, dielli i mëngjesit
do të hedhë dritë mbi të.
Tulipani do ta ndiejë nxehtësinë,
petalet e hapura do të fërfëllojnë
dhe yll do të bëhet.
Milingonat do të mërziten në sythin e bozhureve,
të velura nga ëmbëlsia e tepërt aty në errësirë.
Sa për gurët në bregdet, harrojeni
që secili mund të lahet si ar.
Pra, u përpoqa të mendoja me sy mbyllur,
sigurisht zogjtë po këndonin.
Dhe plepat e egër po lëkundnin gjethet
nën muzikën më të ëmbël.
Dhe kjo pasohej nga një heshtje e bukur, e çastit,
e cila vjen te të gjithë ne, na i përkëdhel veshin pak nga pak,
sikur ne të mos nxitojmë ta dëgjojmë.
Sa për merimangat, ç’ tjerin vallë në rrjetat e tyre?
Edhe sikur të mos thonë gjë, ose të duket se asgjë nuk thonë.
Aq magjepsëse është bota, s’e dimë, ndoshta ato këndojnë.
Aq magjepsëse është bota, s’e dimë, ndoshta edhe yjet këndojnë,
Dhe milingonat dhe bozhuret dhe gurët e ngrohtë,
aq të lumtur janë aty ku janë, në bregdet,
në vend që të mbuluar në ar të jenë.




