KFOR-i, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar ushtrimin e përbashkët “Golden Sabre”, në zonën stërvitore të Kampit Vrelo, me qëllim të rritjes së gatishmërisë për reagim ndaj situatave të krizës. Në ushtrim kanë marrë pjesë edhe pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile.
Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtrimi është organizuar në kuadër të prioritetit të këtij misioni “Ushtrohu dhe Parandalo” (Rehearse and Prevent), ndërsa pjesëmarrësit kanë trajnuar reagimin ndaj skenarëve të ndryshëm të emergjencave komplekse dhe me intensitet të lartë.

Gjatë ushtrimit janë praktikuar procedurat e përbashkëta të komandimit, kontrollit dhe komunikimit, si dhe manovrat për kontrollin e turmave dhe trazirave, me fokus në shtensionimin e situatave dhe menaxhimin e rendit publik.
Po ashtu, janë realizuar ushtrime për evakuim të shpejtë mjekësor, të mbështetura nga mjetet ajrore të KFOR-it, për nxjerrjen në kohë të personave të simuluar si të lënduar.
Specialistët e KFOR-it dhe FSK-së për asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese dhe trajtimin e materialeve të rrezikshme kanë bashkëpunuar për identifikimin dhe sigurimin e mjeteve shpërthyese të simuluara, si dhe për trajtimin e rreziqeve kimike dhe mjedisore në një ambient të simuluar si i kontaminuar.
KFOR-i ka theksuar se ushtrimet e rregullta të përbashkëta janë thelbësore për ruajtjen e gatishmërisë operacionale dhe për të siguruar që njësitë pjesëmarrëse të mund të reagojnë shpejt, në mënyrë efektive dhe të koordinuar ndaj krizave të mundshme.
Sipas njoftimit, përmes harmonizimit të taktikave dhe procedurave standarde të veprimit, forcat pjesëmarrëse forcojnë aftësinë e tyre për të parandaluar përshkallëzimin e situatave, për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve lokale.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, ka theksuar rëndësinë e ushtrimit dhe të misionit të këtij mekanizmi.“Ky është thelbi i misionit tonë. Bëhet fjalë për njerëzit, sigurinë e tyre dhe tonën. Kjo është ajo që jemi këtu për të ofruar, me profesionalizëm, paanshmëri dhe përkushtim”, ka deklaruar Vergori.
KFOR-i ka bërë të ditur se do të vazhdojë të organizojë aktivitete të përbashkëta trajnuese për të forcuar koordinimin dhe për të siguruar reagim në kohë dhe efektiv, në mbështetje të një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë.
Burimi: RTKLive





