Punonjësit e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) do të përfitojnë bonus në vlerë prej 800 eurosh neto, pas marrëveshjes së arritur ndërmjet Bordit të Drejtorëve, Menaxhmentit të Korporatës dhe përfaqësuesve të dy organizatave sindikale, SR-KEK dhe SPEK.

Sipas njoftimit të Sindikatës së Re të KEK-ut, marrëveshja është arritur pas një takimi të përbashkët, ku është diskutuar për sfidat aktuale me të cilat po përballet Korporata, përfshirë projektet e modernizimit të njësive prodhuese, investimet mjedisore dhe sigurimin e vazhdimësisë së operimeve.
Bonusi prej 800 eurosh neto do të ndahet në dy faza. Punonjësit do t’i marrin 500 euro në mesin e dhjetorit të vitit 2026, ndërsa 300 euro të tjera në mesin e majit të vitit 2027.
Gjatë takimit, palët kanë vlerësuar se operimi i KEK-ut është jetik për sigurinë energjetike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve, duke u pajtuar se stabiliteti i prodhimit dhe mbështetja për punonjësit duhet të ecin paralelisht.
Po ashtu, Bordi, Menaxhmenti dhe përfaqësuesit e të dy sindikatave janë dakorduar për angazhim të përbashkët në tejkalimin e sfidave aktuale, ruajtjen e stabilitetit të prodhimit dhe realizimin e projekteve strategjike të Korporatës.
Marrëveshja është prezantuar si rezultat i dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet palëve, me qëllim adresimin e kërkesave të punonjësve dhe përballimin e sfidave me të cilat po përballet KEK-u.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





