Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) kanë pezulluar përkohësisht protestën e paralajmëruar për rritjen e pagave dhe nivelizimin e tyre, përfshirë pagën e 13-të.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, ka bërë të ditur se vendimi për pezullimin e protestës është marrë pas takimeve me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut, ku është shprehur gatishmëria për shqyrtimin e kërkesave të punëtorëve.
“Siç e dini deri sot kemi paralajmëruar një protestë paqësore për dy kërkesa: ngritje të pagave dhe nivelizimi i tyre së bashku me pagën e 13. Gjatë javës që shkoi ka pasur disa zhvillime ku ne kemi pasur ftesë nga menaxhmenti dhe bordi i KEK-ut për takim. Kemi zhvilluar takime të përbashkëta për shqyrtimin e kërkesave të sindikatës në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje. Menaxhmenti dhe bordi ka shprehur vullnet dhe gatishmëri për t’i shqyrtuar kërkesat, kështu që me mirëkuptimin e të dy palëve dhe sot kemi pasur në tre divizionet —në divizionin e prodhimit të qymyrit, termocentralin Kosova A dhe në termocentralin Kosova B takime me të gjithë punëtorët dhe kemi marrë konfirmimin për një pezullim të përkohshëm të protestës derisa të shqyrtohen kërkesat në tërësi”, tha ai.
“Në momentin që do të ketë rezultate të kënaqshme për punëtorë, ne do t’i njoftojmë jo vetëm punëtorët, por edhe juve. Për momentin jemi në bisedime dhe pritet të vazhdojë,” tha Jashari. Ai ka paralajmëruar se në rast se nuk arrihet një zgjidhje dhe nuk ka rezultate konkrete, protesta mbetet opsion. “Me vetë faktin që kemi thënë e kemi pezulluar përkohësisht protestën, kjo tregon që ne kemi një afat të limituar për rezultate, në mënyrë që t’i japim hapësirë dialogut. Në momentin kur nuk ka dialog edhe nuk shterohen mundësitë e shqyrtimit të kërkesave dhe nuk ka rezultate, pa diskutim që ne e kemi opsionin e protestës”, shtoi.
Burimi: Insajderi





