Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka dënuar sjelljen dhe gjuhën e përdorur nga disa deputetë gjatë mbledhjeve të Komisionit Hetimor për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në një reagim të publikuar të mërkurën, KDI ka shprehur shqetësimin për mënyrën se si disa deputetë po i përdorin mbledhjet e këtij komisioni për përplasje personale dhe partiake.
Sipas institutit, në disa prej mbledhjeve të deritashme, diskutimet për çështjet në rend dite kanë kaluar në akuza, sulme dhe fyerje mes deputetëve.
KDI vlerëson se devijimi nga agjenda e punës së komisionit dëmton hetimin parlamentar dhe besimin e publikut në këtë proces.
Në reagim theksohet se sjelljet dhe gjuha joparlamentare janë veçanërisht të papranueshme në një komision të cilit Kuvendi i ka besuar hetimin e një rasti kaq të ndjeshëm, siç është vrasja e Arlinda Zekajt.
Instituti ka rikujtuar se deputetët kanë përgjegjësi ndaj publikut dhe familjes së viktimës që këtë çështje ta trajtojnë me dinjitet.
Për këtë arsye, KDI i ka bërë thirrje kryesuesit të Komisionit, Burim Ramadani, që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të sanksionuar përdorimin e gjuhës joparlamentare.
Po ashtu, ky institu ka kërkuar që të sigurohet se mbledhjet e komisionit zhvillohen në përputhje me agjendën dhe standardet e sjelljes e komunikimit parlamentar../Klankosova.tv





