Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri të fuqishëm që shpërtheu të shtunën në një termocentral në jug të Irakut. Autoritetet kanë paralajmëruar se numri i viktimave mund të rritet.

Zjarri përfshiu termocentralin Hartha, që ndodhet në veri të qytetit të Basrës, ndërsa ekipet e mbrojtjes civile arritën ta vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, raportoi agjencia shtetërore irakiane e lajmeve INA.
Sipas zyrtarëve të sigurisë, flakët u përhapën edhe në disa shtëpi përreth termocentralit, duke detyruar ndërprerjen e punës në këtë objekt, raporton Reuters.
Zjarri shpërtheu rreth orës 06:00 të mëngjesit. Shumica e të lënduarve janë banorë të shtëpive të përfshira nga flakët, të cilët kanë pësuar djegie ose janë helmuar nga tymi, bëri të ditur Qendra e Informacionit të Sigurisë në Irak.
Ndërkaq, Ministria irakiane e Energjisë Elektrike njoftoi se incidenti përfshiu një tubacion gazi që furnizonte termocentralin.
Pas ngjarjes, kryeministri Ali al-Zaidi urdhëroi nisjen urgjente të një hetimi për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe për të identifikuar personat përgjegjës, njoftoi zyra e tij.
Termocentrali Hartha ka kapacitet prodhues prej 800 megavatësh, por para shpërthimit të zjarrit funksiononte me rreth 400 megavatë, sipas zyrtarëve të sigurisë.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacione zyrtare për shkakun e incidentit apo përmasat e plota të dëmeve.
Infrastruktura energjetike e Irakut prej vitesh përballet me probleme të vazhdueshme, për shkak të investimeve të pamjaftueshme, mirëmbajtjes së dobët dhe vështirësive për të përballuar kërkesën e lartë për energji elektrike, veçanërisht gjatë muajve të nxehtë të verës.
Zjarret dhe defektet teknike në nënstacione dhe objekte të prodhimit të energjisë kanë shkaktuar edhe më parë ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në pjesë të ndryshme të vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





