Ish-drejtori i përgjithshëm i Policisë italiane, Gianni De Gennaro, ka vdekur në moshën 78-vjeçare. Sipas raportimit të gazetës italiane “Corriere della Sera”, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës në banesën e tij.

Vdekja e De Gennaros vjen në një kohë kur ai ishte përfshirë në një hetim të Prokurorisë së Caltanissetta-s, që lidhej me dyshimet për pengimin dhe devijimin e hetimeve pas masakrës në Via Mariano D’Amelio, ku mbeti i vrarë gjyqtari antimafia Paolo Borsellino.
Në kuadër të këtij hetimi, prokurorët kishin kërkuar që ndaj tij të caktohej masa e arrestit shtëpiak, por kërkesa ishte rrëzuar nga gjyqtari i hetimeve paraprake.
Lajmi për vdekjen e ish-kreut të Policisë ka nxitur reagimin e Salvatore Borsellinos, vëllait të gjyqtarit të vrarë. Në një deklaratë për agjencinë italiane të lajmeve ANSA, ai ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Caltanissetta-s, duke e bërë përgjegjëse për atë që e cilësoi si nxitje drejt vetëvrasjes.
“Vdekja e De Gennaros, sipas mendimit tim, e bën Prokurorinë e Caltanissetta-s përgjegjëse për nxitje drejt vetëvrasjes”, deklaroi Borsellino.
Ai pretendoi se hetimi nuk ishte në kompetencën e Prokurorisë së Caltanissetta-s, por duhej të zhvillohej nga Prokuroria e Palermos.
Sipas tij, iniciativa hetimore kishte për qëllim të zhvendoste vëmendjen nga përgjegjësitë e mundshme të njësisë speciale të karabinierëve ROS dhe shërbimeve sekrete lidhur me zhdukjen e të ashtuquajturës “agjenda e kuqe” të gjyqtarit Paolo Borsellino, duke e përqendruar hetimin te Policia.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





