Liderja e partisë së djathtë ekstreme gjermane Alternativa për Gjermaninë (AfD), Alice Weidel, ka deklaruar se fëmijët e saj ndjekin shkollën në Zvicër, pasi bashkëshortja e saj druhet se ata mund të përballen me pasoja për shkak të pozicionit politik dhe profilit publik të nënës së tyre.

Në një deklaratë, Weidel tha se bashkëshortja e saj, e cila është shtetase zvicerane, këmbëngul që fëmijët të arsimohen në Zvicër.
Sipas saj, kjo zgjedhje lidhet me frikën se ata mund të bëhen objekt i hakmarrjes apo trajtimit të padrejtë në shkollat gjermane, vetëm për shkak se janë fëmijët e një prej figurave më të njohura politike në vend.
“Bashkëshortja ime është zvicerane dhe këmbëngul që fëmijët tanë të ndjekin shkollën në Zvicër, sepse pret që ata të përballen me hakmarrje në një shkollë gjermane, thjesht për faktin se janë fëmijët e Alice Weidelit”, ka deklaruar ajo.
Kancelarja e mundshme gjermane shtoi se bashkëshortja e saj dëshiron që fëmijët të mos përfshihen në debatet politike dhe të mos përballen me presionin që mund të vijë si pasojë e veprimtarisë publike të prindërve të tyre.
“Ajo dëshiron që kjo çështje politike të mbahet plotësisht larg fëmijëve tanë dhe unë jam pajtuar me këtë”, u shpreh liderja e AfD-së.
Alice Weidel është një nga figurat më të njohura të së djathtës gjermane dhe bashkëkryetare e AfD-së, parti e cila ka fituar mbështetje të konsiderueshme gjatë viteve të fundit, por njëkohësisht është përballur me kritika dhe polemika për qëndrimet e saj politike.
Deklarata e Weidelit rikthen në vëmendje edhe sfidat me të cilat mund të përballen familjarët e politikanëve, të cilët, ndonëse nuk janë vetë pjesë e jetës publike, mund të ndikohen nga debatet dhe polarizimi politik në vend. /Telegrafi/





