Një kërcënim shqetësues, me referencë të drejtpërdrejtë ndaj një ngjarjeje të rëndë në Pejë, është denoncuar nga një grua në Hajvali të Prishtinës. Ajo ka deklaruar në Polici se ish-bashkëshorti e kishte kërcënuar pas një mosmarrëveshjeje lidhur me ndihmat sociale për fëmijët, duke e shtyrë të kërkojë urdhër mbrojtës, mëson Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është denoncuar më 13 nëntor në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.
Gruaja, e identifikuar me inicialet M.K., ka deklaruar se ishte larguar nga shtëpia e ish-bashkëshortit dhe po jetonte te vëllai i saj.
Sipas denoncimit, ish-bashkëshorti kishte shkuar te vëllai i gruas dhe kishte shqiptuar një kërcënim që ajo e ka raportuar në Polici.
“Ti je hi në punë me ba me ma nal socialin e fëmijëve, kam me ta ba ma zi se ai në Pejë”, janë fjalët që, sipas deklarimit të ankueses, i dyshuari kishte përdorur.
Pas këtij kërcënimi të pretenduar, gruaja ka kërkuar urdhër mbrojtës.
Fillimisht, Policia kishte përpiluar një shënim zyrtar lidhur me denoncimin.
Më 18 nëntor, hetuesi për dhunë në familje ka intervistuar edhe ish-bashkëshortin e saj, të identifikuar me inicialet I.K.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit për rastet e dhunës në familje, është iniciuar procedura penale për veprën “Dhuna në familje”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Nga informacionet e deritanishme nuk rezulton nëse gjykata ka vendosur lidhur me kërkesën për urdhër mbrojtës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





