Nga: Muntaz Kokalari[1] (1895-1944)

Zonjë e nderuar Makbule.
Erdha dhe s’të gjeta, mbesa juaj më tha se ndodheni në Elbasan bashkë me Feim Beun.
Po përjetojmë ditë të vështira. Erdha t’ju përshëndes se kam vendosur me brengë në zemër, të largohem nga Shqipëria ime e bukur, nga familja e dashur, që tani ka aq shumë nevojë për mua. Këtë vendim e mora mbasi më njoftuan disa nga miqtë e mi të besuar, se jeta ime dhe e të afërmve të mi është në rrezik nga bashtua i Gjirokastrës, Enver Hoxha. Ai ka urdhëruar djajtë e kuq kundër nesh. Kjo kuptohet: Thjesht për motive personale, se ne kemi qenë kundërshtarë të okupatorit Nazi-Fashist dhe kemi punuar thjeshtë për të mirë e përparimin e Kombit.
Siç e kemi biseduar edhe herë të tjera, fatkeqësi e Kombit tonë dhe e Shqipërisë së gjorë, që ka rënë në duart e një njeriu të përbindshëm, tinëzar, hakmarrës, inatçi, dinak, megaloman, egoist, që i do njerëzit nën vete, kumarxhi, gënjeshtar edhe kur qe jashtë për studime nuk dha asnjë provim, mbeti pas kabareve, kazinove etj. Fëlliqi botën me borxhe.
Ne intelektualët gjirokastrit ia dimë të gjitha dhe sa i vlen lëkura, prandaj kërkon të na asgjësojë. Po kam besim se këtij batakçiu, bashkë me djajtë e kuq, shpejtë ka për t’i dalë boja. Këtë radhë besoj se do të na ndihmojë Evropa dhe Amerika dhe mbas shkatërrimit të tij, me të do të tallën dhe gurët e sokakëve.
Më fal që u zgjata më këtë çështje se nxora pak dufin.
Megjithatë, përpjekjet e vazhdueshme, nuk ta mbarova dot hipotekimin e shtëpisë, gjë të cilën ju e kishit me shumë merak, sepse në këto rrethana ngatërresash, nuk funksionojnë zyrat prej kohësh, e për më keq ato kanë rënë në duart e djajve të kuq. Jam bashkë me mikun tim dhe tuajin të besës, zotin Hamid Llagami. Mbetëm dakord që një kopje të Note Transkriptimit të shtëpisë së përgatitur për hipotekën, e kemi lënë bosh vendin e hipotekimit që ta plotësojë kur t’i krijohet mundësia zotit Hamid, dhe në fund të faqes kam firmosur e vulosur unë mbi boshllëkun e bardhë pa caktuar datën. Hamitit i kam lënë të gjitha materialet e orenditë me gjithë pajimet e zyrës time noteriale. Për çdo problem që do të lindë me mungesën time, t’i drejtohesh pa asnjë ndrojtje sikur të jem unë.
Me këtë letër po të dërgoj dhe një Note Transkriptim të shtëpisë origjinale, firmosur e vulosur nga unë, ta kesh për çdo eventualitet se ka fuqi ligjore. Do të të lutem shumë të më mbani afër familjen, se ju jeni grua e zonjë, e me aftësi të rrallë, zemër të madhe, dhe ke forca të përballosh këtë rrebesh të egër.
Të fala shumë mikut tim të dashur, Feim beut. E përqafoj duke ju lutur Zotit të na ndihmojë e të shihemi në Shqipërinë e lirë dhe pa djaj të kuq.
Me respekt të thellë, i juaji, Muntaz Kokalari
Tiranë më 9 nëntor 1944. /Muzeu Kokalari/
Lexo po ashtu:
– Raporti i spiunëve për shëtitjet e “rrezikshme” të Musine Kokalarit, pranë repartit ushtarak!
– Fjalët e fundit të opozitës së parë të pushkatuar nga komunistët shqiptarë: Rroftë Shqipëria me Kosovën
– Musine Kokalari: Ky qe fati im, më i hidhur se vdekja
– U ndava nga ambienti kulturor, duke jetuar me njerëz me fytyrë njeriu, po më keq se kafsha!
– Fati tragjik i autorit të veprës “Kosova, djepi i shqiptarizmit”: Enveri e akuzoi se hodhi gurë kundër Jugosllavisë motër
______________
[1] Letër e Muntaz Kokalarit, drejtuar zonjës Makbule Xomo Vrioni, gruas së Feim Leskovikut, bijës së Ymer Vrionit, me të cilën ka pasur miqësi familjare. Në fund letra ka nënshkrimin e Muntaz Kokalarit dhe vulën noteriale. Vetëm tre ditë pas dërgimit të kësaj letre, forcat e “Mbrojtjes së popullit” (pararendëse e Sigurimit të Shtetit), u paraqitën në banesën Kokalari dhe morën “për një sqarim” Muntazin dhe të vëllain Vesim. Trupat e tyre u gjendën pas shumë ditësh në bodrumet e Hotelit “Bristol” së bashku me intelektualë të tjerë të njohur, të shpuar nga plumbat dhe gjysmë të dekompozuar. Së bashku me ta u ekzekutua edhe kushëriri Surja Kokalari. Mëngjesin e ditës tjetër, më 13 nëntor 1944 morën edhe motrën e tyre Musine, të cilën e liruan pasi e mbajtën 15 ditë në hetuesi.





