Themeluesi i Nvidia-s, Jensen Huang, ka deklaruar se do të ishte i gatshëm të rikthehej në postin e drejtorit ekzekutiv të kompanisë, nëse bordi i drejtuesve do të vlerësonte se një vendim i tillë do të ishte në interesin më të mirë të saj.

Në reagimin e tij të parë publik pas dorëheqjes së papritur, Huang pranoi se kishte bërë gabime serioze në jetën personale, ndërsa shprehu keqardhje për problemet që, sipas tij, u kishte shkaktuar anëtarëve të bordit të kompanisë.
“Kam krijuar probleme për Bordin, për të cilat pendohem thellësisht. I marr plotësisht përsipër gabimet e mia”, shkroi ai në platformën X.
Huang bëri të ditur se pas largimit kishte marrë shumë telefonata dhe mesazhe nga punonjës të kompanisë, investitorë dhe persona të tjerë, të cilët i kishin kërkuar të rikthehej në drejtimin e Nvidia-s.
“Ndërsa kompania përballet me dinamika komplekse teknologjike, tregtare, konkurruese dhe gjeopolitike, shumë njerëz kanë vijuar të më kontaktojnë drejtpërdrejt. Nëse bordi i drejtorëve vendos se rikthimi im është në interesin më të mirë të aksionarëve, punonjësve, kompanisë dhe Amerikës, do të ishte nder për mua t’u përgjigjesha këtyre thirrjeve dhe të rikthehesha si CEO”, u shpreh ai.
Megjithatë, sipas raportimeve të BBC-së, bordi i Nvidia-s nuk po shqyrton aktualisht mundësinë e rikthimit të Huang në krye të kompanisë. Ndërkohë, drejtuesit e saj po zhvillojnë një hetim lidhur me sjelljen e tij, përfshirë pretendimet për një marrëdhënie jashtëmartesore me një ekzekutive të Nvidia-s.
Çështja është shoqëruar edhe me raportime për një lidhje të dyshuar të Huang me një grua, e cila dyshohet se ka vepruar në interes të Pekinit. Sipas BBC-së, miliarderi pritet të merret në pyetje nga disa komitete të ligjvënësve amerikanë gjatë javëve në vijim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





