UEFA ka caktuar një trupë arbitrimi nga Letonia për të drejtuar ndeshjen mes Irlandës dhe Kosovës, e cila zhvillohet në kuadër të xhiros së fundit të Grupit B3 në Ligën e Kombeve.

Gjyqtari kryesor i kësaj përballjeje do të jetë Edgars Malcevs, i cili do të ndajë drejtësinë në stadiumin “Aviva” të Dublinit.
Në këtë detyrë, Malcevs do të ndihmohet nga bashkëkombësit Martiņs Svipsts dhe Deniss Sevcenko, ndërsa Aleksandrs Anufrijevs është caktuar gjyqtar i katërt. Për sistemin VAR do të jetë përgjegjës polaku Piotr Lasyk, me Andrejs Gluhovs si asistent.
Kush është Edgars Malcevs?
Arbitri 35-vjeçar nga Letonia ka arritur një vlerësim të rëndësishëm nga UEFA në dhjetor të vitit 2025, kur u përfshi në listën e gjyqtarëve të Kategorisë së Parë. Me këtë avancim, ai u bë arbitri i dytë letonez që arrin këtë nivel, pas Andris Treimanis.
Malcevs kishte qenë për një periudhë të gjatë pjesë e Kategorisë së Dytë, përpara se të ngjitej një shkallë më lart në hierarkinë e arbitrimit evropian. Ky avancim i mundëson atij të marrë përsipër edhe ndeshje më të rëndësishme në kompeticionet e UEFA-s, përfshirë takime të fazave të avancuara të garave evropiane.
Karrierën e tij ndërkombëtare e ka nisur në vitin 2023. Në korrik të po atij viti, ai drejtoi ndeshjen mes St Patrick’s Athletic dhe Dudelange, në kuadër të kualifikimeve për Ligën e Konferencës.
Për Malcevsin, përballja mes Irlandës dhe Kosovës përbën një tjetër angazhim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare, në një ndeshje ku Dardanët synojnë ta sigurojnë pozitën e dytë në grup dhe një vend në ‘play-off’ për inkuadrim në Ligën A.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali





