Gjykata e Lartë në Beograd lëshon fletarrest për Milan Radoiçiqin

Gjykata e Lartë në Beograd lëshon fletarrest për Milan Radoiçiqin

Gjykata e Lartë në Beograd lëshon fletarrest për Milan Radoiçiqin

Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe dhe njëri prej personave kryesorë për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë, nuk është paraqitur në stacionin policor Savski Venac në Beograd më 15 nëntor, ndonëse ishte i obliguar ta bënte këtë në kuadër të masave të sigurisë të vendosura ndaj tij nga gjykata.

Sponsor 3M Express

Sipas një raportimi të BIRN-it, Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar paraburgimin e Radoiçiqit dhe ka lëshuar urdhërarrest ndaj tij, pasi ai nuk e ka respektuar detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në polici dhe për të konfirmuar vendndodhjen e tij.

Radoiçiq duhej të paraqitej në polici të dielën, më 15 nëntor. Deri atëherë, ai e kishte respektuar rregullisht këtë detyrim, duke u paraqitur në stacion më datat 1 dhe 15 të çdo muaji.

Gjykata e Lartë në Beograd i kishte konfirmuar më herët televizionit N1 se, sipas një njoftimi të pranuar nga stacioni policor më 4 nëntor, Radoiçiq ishte paraqitur për herë të fundit më 1 nëntor.

Pasaporta e tij gjendet në Gjykatën e Lartë në Beograd, e cila ia kishte konfiskuar si pjesë të masave të shqiptuara në procedurën penale lidhur me sulmin në Banjskë.

Pasi i pandehuri nuk paraqitet në kohën e caktuar, policia është e obliguar ta njoftojë zyrtarisht gjykatën. Në raste të tilla, autoritetet fillimisht verifikojnë vendndodhjen e personit dhe nëse ai vazhdon të qëndrojë në adresën e regjistruar.

Dyshimet se është larguar drejt Moskës

Më 13 nëntor, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanoviq, deklaroi në televizionin N1 se kishte informacione jozyrtare nga kjo agjenci se Radoiçiq ishte larguar nga Serbia një ditë më parë dhe kishte udhëtuar drejt Moskës.

I pyetur nëse largimi i tij ishte bërë në mënyrë të ligjshme, Zvezdanoviq ishte përgjigjur se Radoiçiqi nuk i nevojitej leje për këtë.

Gjykata e Lartë në Beograd, në rastin e tij, ka urdhëruar paraburgimin dhe ka lëshuar urdhërarrest. Këto masa mund të ndërmerren kur gjykata konstaton se i pandehuri po fshihet ose është arratisur dhe ekziston rreziku që të mos jetë i qasshëm për organet e drejtësisë.

Për lëshimin e një urdhërarresti ndërkombëtar nevojitet edhe një procedurë tjetër. Byroja Kombëtare e Interpolit në Serbi, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet t’i drejtohet Interpolit me kërkesë për lëshimin e tij.

Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë

Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur: Stefan Nedeljkoviq, Bojan Mijailoviq dhe Igor Milenkoviq.

Disa ditë pas sulmit, Milan Radoiçiq mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur. Deklarata e tij u bë publike përmes avokatit Goran Petronijeviq, ndërsa pas kësaj Radoiçiq dha dorëheqje nga posti i nënkryetarit të Listës Serbe.

Autoritetet në Beograd kanë mohuar çdo përfshirje në organizimin e sulmit.

Një hulumtim i publikuar nga BIRN në tetor të vitit 2023 kishte evidentuar se municioni i përdorur në Banjskë ishte prodhuar në vitin 2022 në fabrikën serbe Belom, ndërsa disa mina dhe mortaja ishin riparuar në institute shtetërore në Serbi gjatë viteve 2018 dhe 2021.

Hulumtimi, i bazuar në fotografi dhe video të Policisë së Kosovës, kishte identifikuar gjithashtu se granatahedhësi automatik M93 ishte prodhuar në fabrikën Zastava në Kragujevc dhe ishte riparuar në Institutin e Riparimit Teknik në Çaçak.

Se si kishin përfunduar këto armë në duart e grupit të armatosur nuk ishte përcaktuar. Ministri i atëhershëm i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, kishte deklaruar se ky fakt nuk dëshmonte asgjë, pasi edhe Policia e Kosovës përdorte armë të prodhuara në Serbi.

Në një tjetër hulumtim, të publikuar në maj të këtij viti, BIRN kishte zbuluar se dy automjete të blinduara Mercedes G-Class, të sekuestruara pas sulmit në Banjskë, ishin të regjistruara në emër të kompanisë së Beogradit Pent Rent, e lidhur me RadoiçiqIn dhe biznesmenin Zvonko Veselinoviq.

Sipas Prokurorisë së Kosovës, në njërën prej këtyre automjeteve ishte gjetur edhe një leje armësh në emër të Radoičićit.

Hetimi në Serbi vazhdon, aktakuza ende nuk është ngritur

Radoiçiq ishte arrestuar nga policia serbe më 3 tetor 2023, pas kthimit në Serbi. Ai ishte marrë në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike në Beograd, ku kishte mohuar veprat penale për të cilat dyshohej.

Prokuroria e dyshon atë për komplot për kryerjen e veprave penale, prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe mjeteve shpërthyese, si dhe për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme.

Prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit për shkak të rrezikut të arratisjes, por gjyqtari i Gjykatës së Lartë e kishte refuzuar kërkesën.

Në vend të paraburgimit, ndaj tij ishin vendosur masa që përfshinin ndalimin e largimit nga Serbia dhe udhëtimit drejt Kosovës pa lejen e gjykatës, konfiskimin e përkohshëm të pasaportës dhe detyrimin për t’u paraqitur rregullisht në polici. Këto masa ishin vazhduar për herë të fundit më 30 shtator 2026.

Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tre vjet nga sulmi në Banjskë, procedura hetimore në Serbi ende nuk ka përfunduar. Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike, Nenad Stefanoviq, kishte paralajmëruar se vendimi për ngritjen e aktakuzës do të merrej në fund të vitit 2024 ose në fillim të vitit 2025, por deri më tani aktakuzë nuk është ngritur.

Radoiçiq ishte parë për herë të fundit në publik më 9 tetor të këtij viti, në një tubim parazgjedhor të Partisë Progresive Serbe në Kragujevc.

Ndërkohë, në Kosovë, Prokuroria Speciale në shtator të vitit 2024 kishte ngritur aktakuzë ndaj 45 personave për sulmin në Banjskë, ku Radoiçiq figuron i pari në listë.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte lëshuar urdhërarreste ndërkombëtare për të dhe të dyshuarit e tjerë që ndodhen jashtë juridiksionit të Kosovës, por kishte refuzuar kërkesën e prokurorisë për gjykimin e tyre në mungesë.

Tre të pandehurit e arrestuar në Kosovë u dënuan në vitin 2025.

Radoiçiq ndodhet gjithashtu në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit që nga dhjetori i vitit 2021./Telegrafi.

Lexo edhe

Punëtori shqiptar humb jetën në Itali pasi goditet nga një veturë në kantierin e autostradës

Punëtori shqiptar humb jetën në Itali pasi goditet nga një veturë në kantierin e autostradës

Bebe Rexha reagon e zhgënjyer pas mos-nominimit në ‘Grammy Awards 2027’: Kënga “New Religion” mbetet e jashtëzakonshme

Bebe Rexha reagon e zhgënjyer pas mos-nominimit në ‘Grammy Awards 2027’: Kënga “New Religion” mbetet e jashtëzakonshme

Forcat speciale të FSK-së dhe Policisë së Kosovës stërviten me ShBA-në, Shqipërinë dhe Kroacinë

Forcat speciale të FSK-së dhe Policisë së Kosovës stërviten me ShBA-në, Shqipërinë dhe Kroacinë