Qeveria italiane ka ashpërsuar masat kundër protestave të dhunshme, ndërsa qyteti i Milanos pritet të jetë në qendër të zbatimit të rregullave të reja, pas trazirave të fundjavës së kaluar.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka ndërmarrë hapa për rritjen e dënimeve ndaj personave që përfshihen në akte dhune, pasi protestues, mes tyre edhe shumë adoleshentë, dëmtuan dyqane, vetura dhe plaçkitën biznese, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

Në kuadër të masave të reja, 500 ushtarë do të angazhohen në Milano për të mbështetur policinë.
“Protestimi është e drejtë, shkatërrimi i qyteteve tona nuk është”, deklaroi Meloni.
Legjislacioni i ri parasheh një vepër të veçantë penale për pjesëmarrjen e dhunshme në protesta. Hedhja e mjeteve piroteknike ose gurëve mund të dënohet me deri në pesë vjet burgim.
Gjithashtu, të rinjtë e moshës 14 deri në 18 vjeç mund të mbajnë përgjegjësi penale, ndërsa policia mund t’i ndalojë paraprakisht nëse dyshon se paraqesin rrezik.
Masat përfshijnë edhe parimin “e thyen, e paguan”, sipas të cilit personat që dëmtojnë pronën publike ose private, si stacionet e autobusëve dhe dyqanet, mund të detyrohen të paguajnë dëmet e shkaktuara. Në rastet kur dëmtuesit janë nën moshën 18-vjeçare, fatura mund t’u dërgohet prindërve të tyre.
Duke prezantuar masat në fillim të kësaj jave, Meloni tha se qeveria e saj i kupton vështirësitë me të cilat përballen shumë të rinj për të gjetur punë dhe për të siguruar paga të mira.
Megjithatë, ajo theksoi se vështirësitë ekonomike nuk mund të justifikojnë dhunën.
“Vështirësitë nuk mund të jenë arsyetim për dhunën”, deklaroi kryeministrja italiane.
Burimi: Dukagjini




