Federata Ndërkombëtare e Futbollit ka konfirmuar të enjten se presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Philippe Diallo, dhe homologu i tij japonez, Kozo Tashima, do të jenë rivalët e Infantinos në zgjedhjet që do të mbahen në mars të vitit 2027.
Diallo e kishte bërë publike kandidaturën e tij të hënën, duke siguruar mbështetjen e federatave anëtare të UEFA-s, të përfaqësuara në Komitetin Ekzekutiv dhe Këshillin e FIFA-s.

Ndërkohë, Tashima kishte shprehur synimin për të kandiduar në fillim të këtij muaji, ndërsa të mërkurën dorëzoi zyrtarisht dokumentacionin e kandidaturës.
“FIFA ka përcjellë kandidaturat te Komisioni Zgjedhor për shqyrtim dhe marrjen e vendimit lidhur me pranimin e kandidatëve”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Sipas FIFA-s, federatat anëtare do të njoftohen për emrat e kandidatëve të propozuar dhe të pranuar jo më vonë se më 18 shkurt 2027.
Kjo do të jetë hera e parë që nga viti 2023 që Infantino do të ketë kundërshtarë në garën për rizgjedhje, pasi në zgjedhjet e atëhershme ishte konfirmuar pa rivalë.
Infantino, 56-vjeçar, është në krye të FIFA-s që nga viti 2016 dhe synon vazhdimin e drejtimit të organizatës. Megjithatë, mandati i tij është shoqëruar edhe me kritika, veçanërisht pas polemikave rreth propozimit FIFA Forward Enterprise (FFE), që parashihte shitjen e pjesëmarrjeve në të drejtat e Kupës së Botës dhe garave të tjera madhore.
Nga ana tjetër, Diallo ishte ndër figurat që udhëhoqën distancimin e federatave evropiane nga Infantino vitin e kaluar, në kohën e kundërshtive ndaj kësaj nisme.
UEFA, duke njoftuar mbështetjen për kandidaturën e francezit, kishte bërë thirrje për rikthimin e unitetit dhe besimit brenda komunitetit ndërkombëtar të futbollit.
Burimi: RTKLive





