Ia mori jetën bashkëshortes në Austri, 47-vjeçari kosovar përjetë prapa grilave

Ia mori jetën bashkëshortes në Austri, 47-vjeçari kosovar përjetë prapa grilave

Ia mori jetën bashkëshortes në Austri, 47-vjeçari kosovar përjetë prapa grilave

Burgim i përjetshëm për 47-vjeçarin nga Kosova që vrau bashkëshorten në Austri, katër fëmijëve u ndahen nga 75 mijë euro

Sponsor 3M Express

Procesi gjyqësor ndaj një 47-vjeçari nga Kosova ka përfunduar të martën në Gjykatën Rajonale të Wiener Neustadt në Austri, me dënimin e tij me burgim të përjetshëm dhe urdhrin për vendosjen në një institucion të sigurt psikiatrik-mjekësor. Ai akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, nga e cila ishte ndarë, në Sooß të distriktit Baden, të dielën e Pashkëve të këtij viti.

Ndërkaq, një 45-vjeçar, i akuzuar për bashkëpunim në këtë vepër penale, është shpallur i pafajshëm. Vendimi nuk është ende i formës së prerë, shkruan Derstandard, transmeton Klankosova.tv.

Sipas Prokurorisë, gruaja ishte ndarë nga bashkëshorti në vitin 2019, pas akteve të dhunës. Pas largimit nga shtëpia, ajo kishte tentuar të mbronte veten dhe katër fëmijët e tyre nga babai i dhunshëm, duke siguruar urdhra mbrojtës dhe ndalim të kontaktit.

Më 5 prill të këtij viti, 47-vjeçari kishte shkuar në shtëpinë në Sooß, ku gruaja 38-vjeçare ishte vendosur së bashku me katër fëmijët e tyre, të moshës nga nëntë deri në 18 vjeç, pas ndarjes nga bashkëshorti.

Sipas aktakuzës, pasi kishte lënë dhuratat e Pashkëve që kishte marrë me vete, burri kishte qëlluar tri herë me armë zjarri drejt 38-vjeçares. Më pas, dyshohet se e kishte goditur edhe 40 herë me një kaçavidë.

Si shkak që çoi në këtë krim konsiderohet “egoja e lënduar”.

Pasi kishte nisur të pastronte gjurmët e krimit në shtëpi, 47-vjeçari ishte befasuar nga kthimi i djalit të tij. Më pas, babai kishte telefonuar policinë dhe ishte dorëzuar pa bërë rezistencë.

Në ditën e parë të gjykimit me trup gjykues, të enjten e kaluar, i akuzuari kishte tentuar ta fajësonte viktimën dhe kishte pretenduar se kishte vepruar në vetëmbrojtje. Ai kishte deklaruar se 38-vjeçarja kishte “energji të keqe” ose “energji demonike”.

Sipas ekspertit psikiatrik Manfred Walzl, 47-vjeçari vuan nga një çrregullim i rëndë i personalitetit. I akuzuari kryesor konsiderohet i aftë mendërisht për t’u gjykuar, por edhe i rrezikshëm.

Eksperti ka vlerësuar se “egoja e lënduar” kishte luajtur rol në kryerjen e krimit dhe se te 47-vjeçari ishte zhvilluar “urrejtja”. Sipas tij, ekziston mundësia që i akuzuari të kryejë një tjetër vepër të rëndë penale në të ardhmen e afërt, deri në një tjetër vrasje.

Pas disa vlerësimeve me rezultate të ndryshme, eksperti kishte rekomanduar fuqishëm vendosjen e tij në një institucion forenzik-terapeutik, në bazë të nenit 21, paragrafi 2 të Kodit Penal.

Prokuroria: Krim jashtëzakonisht brutal

Në fjalën përfundimtare, prokurori e cilësoi rastin si një “krim absolutisht të urryer”, duke thënë se nëna e katër fëmijëve ishte “praktikisht ekzekutuar”.

Avokati mbrojtës Rudolf Mayer, i cili përfaqësonte të akuzuarin kryesor së bashku me Manfred Arbacher-Stöger, konsideroi se një dënim me burgim për një periudhë të caktuar, krahas vendosjes në një institucion psikiatrik, do të ishte i përshtatshëm.

Ndërkaq, Mirsad Musliu kërkoi shpalljen të pafajshëm të klientit të tij, i cili akuzohej për bashkëpunim në këtë vepër penale.

Të tetë anëtarët e jurisë votuan për shpalljen fajtor të 47-vjeçarit për vrasje. Ai u shpall fajtor edhe për shkelje të ligjit për armët.

Gjykata urdhëroi gjithashtu vendosjen e tij në një institucion të sigurt psikiatrik-mjekësor, në bazë të nenit 21, paragrafi 2 të Kodit Penal, për shkak të rrezikshmërisë së tij, të konstatuar nga ekspertiza.

Katër fëmijëve të çiftit u janë ndarë nga 75 mijë euro secilit si kompensim për dhimbjen e shkaktuar nga humbja e nënës.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, në caktimin e dënimit ndikuan disa rrethana rënduese, përfshirë “natyrën jashtëzakonisht brutale të krimit” dhe përsëritjen e shpejtë të veprës pas lirimit me kusht në shkurt të vitit 2025.

Si rrethanë lehtësuese u mor parasysh aftësia e zvogëluar mendore e të akuzuarit.

Duke iu referuar edhe numrit në rritje të rasteve të vrasjeve të grave, kryetari i trupit gjykues deklaroi se dënimi me burgim të përjetshëm ishte i arsyeshëm edhe për qëllime të parandalimit të përgjithshëm të këtyre krimeve.

47-vjeçari ka paraqitur ankesë për pavlefshmëri të procedurës dhe apel kundër vendimit. Prokuroria ka refuzuar të komentojë rastin.

Për këtë arsye, vendimi ende nuk është i formës së prerë./Klankosova.tv

Lexo edhe

Biden për Zelenskyn në librin e kujtimeve: I luhatshëm në disponim, jo aq mirënjohës sa prisja

Biden për Zelenskyn në librin e kujtimeve: I luhatshëm në disponim, jo aq mirënjohës sa prisja

Shqipëria ngritet në renditjen e re të FIFA-s

Shqipëria ngritet në renditjen e re të FIFA-s

Sveçla: Të huajt mund të aplikojnë online për herë të parë për lejeqëndrim në Kosovë

Sveçla: Të huajt mund të aplikojnë online për herë të parë për lejeqëndrim në Kosovë