Një rast i pazakontë në shtetin amerikan të Tennesseet ka rikthyer debatin për dënimin me vdekje, pasi një grua e dënuar për vrasje i mbijetoi ekzekutimit me injeksion vdekjeprurës, ndërsa autoritetet nuk kanë hequr dorë nga vendimi për ta ekzekutuar.

Christa Pike, 50 vjeçe, i mbijetoi përpjekjes për ekzekutim më 30 shtator, pasi autoritetet i administruan dy doza të pentobarbitalit, një substancë që përdoret në procedurat e ekzekutimit me injeksion.
Pas procedurës, ajo u dërgua në spital në gjendje të rëndë dhe u vendos në respirator. Avokatët e saj fillimisht kishin frikë se nuk do të mbijetonte, por Pike u zgjua më vonë dhe nisi gradualisht të rifitonte aftësinë për të folur dhe për të ecur, me ndihmë.
Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen e Colleen Slemmerit në vitin 1995, kur ishte vetëm 18 vjeçe.
Pas incidentit, ekipi i saj mbrojtës ka kërkuar që dy specialistë të pavarur të lejohen ta ekzaminojnë, për të vlerësuar pasojat fizike dhe psikologjike të përpjekjes së dështuar për ekzekutim, shkruan cnn.
Avokatët kërkojnë që ekzaminimet të kryhen pa praninë e përfaqësuesve të burgut. Megjithatë, administrata e burgjeve të Tennessee-t e kundërshton këtë kërkesë, duke argumentuar se rregullat aktuale nuk lejojnë një trajtim të tillë.
Gjykata në Nashville pritet ta shqyrtojë çështjen më 15 dhjetor.
Ndërkohë, guvernatori republikan i Tennesseet, Bill Lee, ka urdhëruar hetim për dështimet gjatë procedurës së ekzekutimit dhe ka pezulluar për një kohë të pacaktuar një ekzekutim tjetër të planifikuar në këtë shtet.
Megjithatë, ai nuk ka shprehur gatishmëri për t’ia zëvendësuar Pike-s dënimin me vdekje me burgim të përjetshëm.
Lee ka deklaruar se pret që dënimi të mbetet në fuqi, përveç nëse gjykatat vendosin ndryshe.
Vetë Pike ka folur për pasojat e incidentit, duke thënë se dhimbja që po përjeton nuk është vetëm fizike, por edhe psikologjike.
Rasti i saj konsiderohet i pari i njohur në të cilin një person i dënuar me vdekje ka mbijetuar pasi autoritetet i kanë administruar barnat për ekzekutim. Ai ka ngritur pikëpyetje të reja mbi sigurinë dhe ligjshmërinë e procedurave të injeksionit vdekjeprurës në Shtetet e Bashkuara. /Telegrafi/





