Humbja e papritur e shikimit në njërin sy mund të jetë shenjë e një urgjence serioze okulare, por edhe paralajmërim për goditje në tru. Cilat janë shtatë shkaqet kryesore, kush është më i rrezikuar dhe pse çdo minutë mund të jetë vendimtare për të shpëtuar shikimin?

Dr. Anita Syla Lokaj, Phd Candidate
Specialiste e Oftalmologjisë
Tel. 044 756 682
Humbja e papritur e shikimit në njërin sy konsiderohet urgjencë oftalmologjike, sepse mund të jetë shenjë e një sëmundjeje serioze që prek retinën, nervin optik ose qarkullimin e gjakut në sy. Në disa raste, ajo mund të jetë edhe paralajmërim i një problemi vaskular në organizëm, përfshirë rrezikun për goditje në tru.
Shkaqet kryesore përfshijnë:
1. Okluzioni i arteries qendrore të retinës – shkakton humbje të menjëhershme, zakonisht pa dhimbje, të shikimit. Është një nga urgjencat më serioze, pasi ndërprerja e furnizimit me gjak mund të shkaktojë dëmtim të pakthyeshëm të retinës.
2. Okluzioni i venës qendrore të retinës – pengon kthimin normal të gjakut nga retina dhe mund të shkaktojë hemorragji retinale, edemë makulare dhe ulje të konsiderueshme të shikimit.
3. Shkëputja e retinës (ablatio retinae) – shpesh paraprihet nga shfaqja e dritëzave, pikave të zeza lëvizëse ose ndjesia e një perdeje të errët që mbulon një pjesë të fushës pamore.
4. Hemorragjia në trupin qelqor – mund të ndodhë te pacientët me retinopati diabetike, çarje retinale ose sëmundje të tjera vaskulare të retinës.
5. Neuriti optik – inflamacion i nervit optik, që shpesh shoqërohet me ulje të shikimit, çrregullim të perceptimit të ngjyrave dhe dhimbje gjatë lëvizjes së syrit.
6. Neuropatia optike ishemike – shkaktohet nga çrregullimi i furnizimit me gjak të nervit optik. Forma arteritike, e lidhur me arteritin me qeliza gjigante, kërkon trajtim të menjëhershëm për të mbrojtur edhe syrin tjetër.
7. Glaukoma akute me kënd të mbyllur – karakterizohet nga rritje e menjëhershme e presionit intraokular, dhimbje e fortë, skuqje e syrit, turbullim i shikimit dhe ndonjëherë nauze e të vjella.
Si ndryshojnë shkaqet sipas moshës?
Te fëmijët dhe të rinjtë, shkaqet më të shpeshta për t’u konsideruar janë neuriti optik, traumat okulare, çrregullimet inflamatore dhe disa sëmundje të retinës. Shkëputja e retinës mund të shfaqet sidomos në prani të miopisë së lartë ose pas traumave.
Te personat e moshës së mesme, rritet rëndësia e sëmundjeve vaskulare të retinës, veçanërisht te pacientët me diabet, hipertension arterial dhe faktorë të tjerë të rrezikut kardiovaskular.
Ndërsa te personat mbi 60 vjeç, shqetësim të veçantë paraqesin okluzionet vaskulare të retinës, neuropatia optike ishemike, arteriti me qeliza gjigante dhe komplikimet e degjenerimit makular të lidhur me moshën.
Megjithatë, mosha nuk është kriter absolut: sëmundje serioze vaskulare ose shkëputja e retinës mund të ndodhin edhe te pacientët e rinj.
Pse reagimi i menjëhershëm mund të jetë vendimtar?
Në oftalmologji, koha është një faktor përcaktues për ruajtjen e funksionit të mprehtësisë vizive. Retina dhe nervi optik janë struktura shumë të ndjeshme ndaj mungesës së oksigjenit dhe çrregullimeve të qarkullimit të gjakut.
Në rastin e okluzionit të arteries qendrore të retinës, dëmtimi ishemik mund të zhvillohet shumë shpejt. Prandaj, pacienti duhet të referohet menjëherë në një qendër emergjente për vlerësim të mundësisë së ndërhyrjes akute dhe të rrezikut për insult trunor.
Në rastin e shkëputjes së retinës, diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm mund të parandalojnë zgjerimin e shkëputjes dhe përfshirjen e makulës, duke rritur mundësinë për ruajtjen e shikimit.
Po ashtu, te pacientët me arterit me qeliza gjigante, trajtimi urgjent është thelbësor për të parandaluar humbjen e shikimit edhe në syrin tjetër.
Një aspekt shumë i rëndësishëm është se humbja e shikimit pa dhimbje nuk do të thotë se gjendja është më pak serioze. Madje, disa nga urgjencat më të rënda oftalmologjike paraqiten pikërisht pa dhimbje. Edhe nëse shikimi rikthehet spontanisht pas disa minutash, pacienti duhet të vlerësohet urgjentisht, sepse mund të bëhet fjalë për një episod ishemik kalimtar.
Mesazhi përfundimtar
Humbja e papritur e shikimit në njërin sy nuk duhet të neglizhohet dhe as të pritet që të përmirësohet vetvetiu. Pacienti duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku oftalmolog, pavarësisht moshës si dhe pranisë apo mungesës së dhimbjes.
Diagnostikimi i hershëm dhe trajtimi në kohë mund të bëjnë dallimin ndërmjet ruajtjes së shikimit dhe humbjes së përhershme të tij. /Telegrafi/




