Presidenti amerikan, Donald Trump, rrezikon të humbë shumicën në Kongres në zgjedhjet e mesmandatit, pasi historia politike në SHBA tregon se partia e presidentit në detyrë zakonisht pëson humbje në këto zgjedhje.

Republikanët po përballen me mundësinë që demokratët të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe, potencialisht, edhe të Senatit.
Gjatë 20 zgjedhjeve të fundit të mesmandatit, partia e presidentit ka humbur ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve në 18 raste. Përjashtim bëjnë zgjedhjet e vitit 2002, kur republikanët fituan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, dhe ato të vitit 1998, kur demokratët e presidentit Bill Clinton arritën ta ruanin shumicën.
Në këto zgjedhje janë në garë të gjitha 435 ulëset e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 ulëset e Senatit.
Humbja e shumicës në njërën prej dhomave do t’ia vështirësonte Trumpit miratimin e ligjeve dhe zbatimin e agjendës së tij politike. Nëse demokratët marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, ata do të mund të nisin hetime ndaj administratës dhe të kërkojnë dëshmi e dokumente nga zyrtarët qeveritarë.
Ndërkohë, marrja e shumicës në Senat do t’u jepte demokratëve mundësi të bllokonin ose vononin emërimet e presidentit në poste të rëndësishme shtetërore dhe gjyqësore.
Për të arritur këtë, atyre u nevojitet të fitojnë katër ulëse të mbajtura aktualisht nga republikanët, duke ruajtur njëkohësisht të gjitha ulëset që i kanë.
Sondazhet tregojnë se demokratët kanë përparësi në disa gara të rëndësishme, përfshirë ato në Texas dhe Kansas, ku prej dekadash nuk kanë arritur të fitojnë një ulëse në Senat. Megjithatë, analistët paralajmërojnë se rezultatet e sondazheve duhen trajtuar me kujdes, pasi në zgjedhjet e kaluara ato kanë nënvlerësuar mbështetjen për republikanët. /Telegrafi/




